Dueli kundër Orikut, Bruka: Besëlidhjes i kanë prishur punë dëmtimet, por ringrihemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2022 | 12:25

Dueli kundër Orikut, Bruka: Besëlidhjes i kanë prishur punë dëmtimet, por ringrihemi

Besëlidhja është gati për pritur Orikun. Skuadra u dha fund përgatitjeve për javën e gjashtë të kampionatit, nga e cila pritet vetëm kthesa. Pozitat janë shqetësuese, ndaj vetëm një trepikësh do t’i ndihmonte që t’i largoheshin vendit të parafundit në klasifikim. Edhe këtë herë do të kenë mungesa, ku bie në sy ajo e kapitenit Kledi Dibra. E megjithatë, vend për justifikime nuk ka më dhe këtë e thotë për “Panorama Sport” edhe trajneri Alban Bruka.

BRUKA BESELIDHJA

“Të mërkurën dolëm nga kompeticioni i Kupës së Shqipërisë dhe tani jemi të fokusuar tërësisht te kampionati. Në ndeshjet e fundit, ekipi nuk ishte në formën e tij reale, kjo edhe për shkak dëmtimeve të shumta në radhët e titullarëve. Shpresoj që deri nesër (sot) një pjesë t’i kem në dispozicion.

Kjo do të na ndihmonte shumë për të ndërtuar një formacion fitues. Gabimet e deritanishme na kanë penalizuar shumë, por një ekip me provojë si Besëlidhja e merr shumë shpejt kthesën pozitive.

Kam besim se ringritja jonë do të nisë që nesër (sot) në stadiumin tonë. Kampionati është në hapat e parë, ndaj nëse do të dimë ta menaxhojmë shumë mirë potencialin e futbollistëve që kemi në dispozicion, do t’i rikthehemi shpejt normalitetit dhe të avancojmë sa më lart në tabelën e renditjes.

Kam shumë shpresë se ekipi ndaj Orikut do të bëjë detyrën, do të fitojë. Kjo do të jetë edhe fitorja jonë historike e kthesës”, tha Bruka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"