Duel mbijetese me Luzin, Besa është gati për derbin si qiraxhie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 19:50

Duel mbijetese me Luzin, Besa është gati për derbin si qiraxhie

Fundjava i ka rezervuar Besës një sfidë ndryshe. Kavajasit do të udhëtojnë vetëm 10 km larg, për të luajtur derbin e qytetit. Presin Luzin 2008, në fushën e këtyre të fundit.

Besa Perja

Sezonin e kaluar u ndanë në dy barazime, por këtë vit situata pritet krejt tjetër. Ekipet kanë nevojë jetike për pikë. Luznjakët renditen të fundit me 2 pikë, ndërsa kavajasit me vetëm 5 pikë janë 11-ët. Thënë ndryshe, do të jetë një duel mbijetese. Kjo përballje pritet të jetë shumë interesante, pasi klubet i përkasin së njëjtës bashki.

Kjo është e para, pasi e dyta lidhet me infrastrukturën. Luzi ka një stadium modest, ndërsa Besa me tërë atë lavdi e histori nuk ka një të tillë (ndonëse pret që ta ketë pas 2 apo 3 vitesh). Së treti, Luzi 2008 ka fituar “pavarësinë” nga Kavaja edhe në… pankinë.

Për vite të tëra drejtohej nga trajnerë kavajas. E njëjta gjë vlen edhe për futbollistët, por për çudi ky trend ka ndryshuar. Luzit 2008 nuk ka më asnjë lojtar nga qyteti i Kavajës. Parë kështu, duken si dy rivalë që nuk kanë asnjë lidhje mes tyre. Kjo do të përforcohet edhe nga tifozët. Nëse Besa në atë stadium ndiqet dhe mbështetet nga qindra luznjakë, të dielën do t’i kenë kundër.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"