Duan sot fitoren e parë me durrsakun në stol/ Terapi psikologjike, Dobi mbledh Kukësin për darkë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 11:23

Duan sot fitoren e parë me durrsakun në stol/ Terapi psikologjike, Dobi mbledh Kukësin për darkë

Kukësit nuk i mungojnë lojtarët, por harmonia në skuadër. Të paktën kështu mendohet në kampin verilindor, sepse investimet në merkato këtë sezon kanë qenë të mëdha, duke afruar futbollistë cilësorë që mund të bëjnë edhe diferencën.

Dobi Kukesi

Për këtë arsye, duke parë që ana psikologjike shihet si një ndër arsyet ose Kukësi nuk po shkon te rezultatet, trajneri Enkeleid Dobi ka menduar t’i bashkojë në një… darkë me pica.

Të shtunën në mbrëmje, në një nga restorantet e kryeqytetit, tekniku ka ftuar të gjithë skuadrën të konsumojnë darkën së bashku, me qëllimin për t’i mbajtur të bashkuar e diskutuar sigurisht edhe për futboll dhe mënyrën se si ekipi mund të dalë nga ky ngërç ku janë kapur.

Me pak fjalë, Dobi po bën terapi edhe jashtë fushës së blertë për t’u marrë maksimumin lojtarëve dhe ta dërgojë ekipin aty ku ai synon, i cili këtë sezon pretendon ta mbyllë patjetër me një trofe.

KUPA SI SHPËTIM – Dobi, ashtu si edhe Kukësi, nuk e ka provuar ende shijen e fitores ketë sezon, ku së fundmi u mundën edhe në një takim miqësor përballë Turbinës që militon në Kategorinë e Parë.

Kupa shihet si një mundësi e mirë për të marrë fitoren e parë dhe ajo çka është më kryesorja, të thyejnë tersin e rezultateve. Verilindorët do të jenë sot mysafirë në Vlorë ku do të luajnë përballë Labërisë që militon në Kategorinë e Dytë, një kundërshtar i lehtë në letër, ku sigurisht do të kërkohet të mbyllen hesapet me kalimin e turit që në ndeshjen e parë.

Duke parë se në kampionat gjërat nuk po shkojnë mirë, Kupa shihet edhe si një shpëtim i sezonit dhe objektivi është që t’i shkohet deri në fund.

Kalimi i këtij turi është thjesht një detyrim, duke parë edhe diferencat. Por një hap i gabuar është i ndaluar, edhe pse ka ndeshje kthimi për të rikuperuar.

FORMACIONI – Në Kukës është ende e paqartë nëse Dobi do të bëjë rrotacion apo do të hedhë në fushë më të mirët.

Gjithsesi, me aq sa është parë në stërvitje, tekniku pritet të hedhë në fushë më të mirët, sepse në këtë ndeshje, përpos synimin të fitores për të kaluar turin, e sheh edhe si një parapërgatitje për përballjen me Laçin.

Të gatshëm për skuadrën do të jenë të gjithë lojtarët, sepse nuk raportohet për lojtarë të dëmtuar apo dënuar.

Një tjetër rezultat negativ edhe në Kupë do të rëndonte akoma më shumë anën psikologjike të skuadrës, ndaj edhe eksperimentet janë të ndaluara te blutë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"