“Duam t’i bëjmë pasaportë një kubanezeje”, Stërmasi i kthehet premtimit se nuk do ishte më trajner i Luiza Gegës: E vërteta është që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2024 | 21:06

“Duam t’i bëjmë pasaportë një kubanezeje”, Stërmasi i kthehet premtimit se nuk do ishte më trajner i Luiza Gegës: E vërteta është që…

Në mesin e sezonit të kaluar Taulant Stërmasi mori drejtimin e Federatës Shqiptare të Atletikës, duke u zgjedhur president në zgjedhjet e parakohshme të FSHA-së. Pas disa muajve në drejtim të federatës, Stërmasi bën bilancet e para ndërsa ka fiksuar edhe objektivat e 2024- ës, një vit tepër i rëndësishëm që do të kulmojë me zhvillimin e Lojërave Olimpike në Paris gjatë verës.

1

Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, Stërmasi flet për rezultatet e kësaj periudhe, ndërsa ka shënuar edhe objektivat. Kreu i FSHA-së thotë se synohet një vend në top-5 në Olimpiadë me Luiza Gegën, ndërsa deklaron se është kontaktuar një trajner i huaj për Izmir Smajlajn. Stërmasi zbulon edhe qëllimin e federatës për të veshur kuqezi një kampione të madhe si kubanezja Yipsi Moreno, si sportiste por edhe si trajnere.

Më pak se një vit në krye të federatës, cili është bilanci i këtyre muajve?
Kam ardhur në federatë rreth mesit të sezonit në një kohë kur ishin zhvilluar aktivitetet kryesore, por vlejnë për tu përmendur evente shumë të rëndësishme ku federata ka marrë pjesë dhe është paraqitur shumë mirë. Është Kampionati Europian Ekipor, liga e tretë, aktivitet që njëkohësisht vlente edhe për Lojërat Olimpike Europiane. Rezultatet e arritura ishin më të mirat që FSHA-ja ka regjistruar ndonjëherë në historinë e saj në këtë kampionat. Kemi dalë në vend të nëntë nga 17 shtete dhe për 1 pikë na humbi vendi i tetë. Ne jemi përfaqësuar shumë herë në këtë aktivitet dhe jemi renditur thuajse gjithmonë në vend të parafundit, ose dy vende nga fundi. Tani shpresojmë që pas dy vitesh të jemi brenda pesëshes së parë.

Një element shumë i rëndësishëm për sportin dhe veçanërisht për atletikën është edhe fizioterapisti. Një çështje që FSHA-ja duket se tashmë e ka zgjidhur apo jo?
Tani ekipi kombëtar ka një fizioterapist të dedikuar nga Kuba, i cili është marrë me kontratë nga FSHA-ja për të qenë pranë ekipit kombëtar në aktivitetet kryesore dhe jo vetëm. Aktualisht ai po paguhet me burimet e mia financiare dhe po trajton të gjithë ekipin kombëtar. Gjithashtu edhe në Shkodër kemi një fizioterapist atje që u mbulon sportistëve seanca masazhi. Dua të përmend që ekipi kombëtar për herë të parë pas kaq vitesh tashmë ka uniforma të dedikuara të skuadrës, të cilat janë më cilësoret që ka tregu ndërkombëtar. Janë të 2023-shit të firmës “Joma”.

Në sezonin e kaluar spikati “e zakonshmja” Luiza Gega, por gjithashtu dhe Franko Burraj…
Sigurisht kemi Luizën në top formë, një atlete që është emblemë e sportit shqiptar, por edhe e federatës. Ajo vjen pas një viti me 5 medalje të arta ballkanike dhe është kualifikuar në çdo garë të sajë me normën e Lojërave Olimpike. Është e para sportiste e kualifikuar për në “Paris 2024”. Arriti finalen e Kampionatit Botëror, pavarësisht një dëmtimi në momentet e fundit, doli e teta në botë, që është rezultat i madh. Franko Burraj ka thyer dy herë rekordin kombëtar gjatë vitit që lamë pas, në 200 metra. Ai mori pjesë në Botëror me ftesë me ndërhyrjen time në federatën botërore dhe bëri një përfaqësim dinjitoz. Për Shqipërinë ishte hera e parë që prej vitit 2013 që përfaqësohej me dy sportistë në botëror.

Si e shikoni situatën me të rinjtë?
Dy sportistët tanë të talentuar U-20, Redia Dauti dhe Kolindo Kiri, garuan në Europianin për këtë grupmoshë që u mbajt në Izrael. Për herë të parë të dy ishin një vend afër finales. Dauti në 3000 m/p u rendit në vend të 15-të, me 14 sportistë që shkonin në finale, ndërsa Kiri në 3-hapësh doli në vend të 13-të, edhe ai vetëm një pozicion larg kualifikimit. Ishte përfaqësim dinjitoz dhe shpresojmë që të luftojmë edhe me brezat që do të vijnë.

Viti 2024 e gjen kombëtaren e atletikës thuajse të gjithën në grumbullim. Mund të thoni diçka më tepër rreth këtyre grumbullimeve?
Për herë të parë kombëtarja po grumbullohet me mundësitë e federatës, që do të thotë nga një bashkëpunim shumë i mirë që kam pasur me federatën turke. Na kanë mundësuar grumbullimin e gjashtë sportistëve tanë në Izmir për periudhën 7 janar deri më 21 janar. I është kërkuar edhe Franko Burrajt që të shkonte, por trajneri i tij ka vendosur që është më mirë që të stërvitet në Shkodër. Përveç kësaj kemi të grumbulluar edhe Luiza Gegën në Kenia, këtë radhë edhe federata ka pasur mundësinë që ta kalojë. Kemi në grumbullim edhe Izmir Smajlajn, që për fatin tonë të mirë tashmë po rikthehet, pasi e ka kaluar dëmtimin dhe presim që edhe ai të jetë gati për sezonin. Mendojmë që të bëjmë edhe një kamp grumbullimi 2-javor në Korçë.

stermasi

Një tjetër eveniment shumë i rëndësishëm është edhe Europiani…
Luiza shkon në këtë kompeticion si kampione në fuqi e Europës, që do të thotë se duhet të futemi patjetër për të mbrojtur medaljen e artë, apo për të qenë pjesë e podiumit. Gjithashtu edhe Izmiri nëse do të jetë gati shkon si kampion Europe, ndërsa edhe Franko ka pritshmëri të larta. Ndërsa do të marrim pjesë edhe në të gjitha aktivitetet ballkanike.

Këtë vit në sportin shkollor do të futet edhe atletika…
Një nga objektivat tona kryesore, siç e ka përmendur edhe presidenti i KOKSH-it, në këtë vit do të përfshijmë klasat sportive për atletikën me mbështetjen e Komitetit Olimpik dhe të ministrisë. Gjithashtu, do të kemi edhe asistencë nga Fedarata Europiane, pasi unë kam kontaktuar me ta. Kjo është një nga risitë për të shtuar masivitetin, ndërsa përveç kësaj, jo vetëm për shkollat por edhe për klubet, do të fusim të paktën 18 aktivitete të reja që kanë lidhje me garat “cross country”. Do të kemi edhe aktivitete piste, kampionate rajonale, për ti finalizuar me kampionate kombëtare të klubeve për moshat e vogla, përtej atyre që kemi të programuara në kalendarin e federatës. Në të njëjtin plan po ecim edhe me garat e rrugëve, pasi do të shtojmë 12 minimaratona në të gjithë Shqipërinë, të cilat janë të projektuara. Maratona e parë do të jetë për fatin tonë të mirë në Shkodër më 10 mars, për të vijuar më tej me qytetet e tjera. Do të bëjmë Vlorën të riformatuar nga fillimi, duke qenë se këtë vit është edhe “Qyteti Europian i Sportit” dhe mendojmë të bëjmë të paktën 15 aktivitete atletike vetëm në Vlorë.

Duke u rikthyer te niveli elitar, në verë siç dihet do të jetë Olimpiada. Çfarë duhet të presim nga Luiza Gega në Paris?
Luiza po lufton fort që të jetë në top-5 të botës, synim që besonim shumë ta arrinim që vjet, por dëmtimi na kushtëzoi. Megjithatë Luiza vendosi rekord kombëtar dhe ishte një vit super i suksesshëm, që do të thotë se ka bërë më mirë edhe se në vitin më të artë të sajin. Pra po përmirësohet dhe kërkojmë që të vazhdojmë me këtë trend rezultatesh dhe të jemi në top-5 në Olimpiadë.

Ndërkohë, me shumë ambicie në këtë sezon futet edhe dyshja shkodrane Izmir Smjalaj dhe Franko Burraj...
Për Izmirin kam diskutuar me një trajner francez, rekordmeni aktual i Europës në kërcim së gjati, ka qenë edhe rekordmen bote. Edhe sportisti jonë është dakord, pasi i pëlqen mënyra se si stërvitet, kështu që po presim vetëm detajet e fundit për të nisur punën, e cila besoj se do të zhvillohet në Paris. Trajneri është treguar shumë bujarë për sa i përket pagesës, duke kërkuar një pagë minimaliste, për të cilën ne do të mbështesim. Për Frankon po punojmë që të ketë sa më shumë gara kualifikuese, ndërsa grumbullimet jashtë janë disi të vështira dhe kërkojnë sakrificë të madhe…

Kur morët drejtimin e federatës, deklaruat se nuk do të jeni më trajneri i Luizës dhe se do të kërkohet trajner i huaj…
Luiza Gega është një investim i madh i federatës, i shtetit shqiptar dhe i të gjithëve, kështu që është një burim shumë i rëndësishëm dhe ne duhet të kujdesemi fort. Unë së bashku me Luizën kemi kontaktuar tre trajnerët më mirë që ka Europa aktualisht, të cilët në mendojmë se i përshtaten stërvitjes së saj. Por problemi i madh mbetet çështja financiare. Trajnerët e niveleve kaq të larta nuk kërkojnë më pak se 2500 euro në muaj. Përtej kësaj, grumbullimet gjatë të gjithë kohës duhen bërë në vendet ku qëndron trajneri. Pra bëhet fjalë për procese 9-mujore grumbullimi dhe kosto e federatës shkonte afërsisht 60 deri në 75 mijë euro në vit. Buxheti për 2023-shin ishte 101 milionë lekë të vjetër, ku nga këto 30 milionë shkojnë për pagat e sekretarit dhe financës, që do të thotë se federatës i mbeten 70 milionë lekë të vjetër. Pra, i gjithë buxheti i binte që të shkonte vetëm për stërvitjen e Luizës, gjë që është e pamundur.

Si është për ju të bëni presidentin, por gjithashtu të vishni edhe “tutat” e trajnerit?
Kemi diskutuar me 3 trajnerë, gjermanë, spanjollë dhe polakë, por asnjëri nuk zbret nën këto çmime. Sigurisht që secili ka respekt për punën e tij dhe duhet respektuar kjo pjesë. Kështu që isha i detyruar që të sakrifikohem unë, sepse po bëj punë të dyfishtë tani, duke u marrë edhe me federatën, e cila siç dihet është punë pa pagesë dhe duhet bërë me kohë të plotë, të paktën 8 orë në ditë edhe këtu ku jam. Gjithashtu duhet të sakrifikoj edhe për Luizën duke e mbështetur për stërvitjen, sepse ajo është pothuajse në fund të karrierës dhe duhet që ti marrë maksimumin sportit, por atletikës nuk mund t’ia marrësh maksimumin nëse nuk përkushtohesh 100%. Për këtë çështje kemi pasur diskutim të gjatë dhe më ka kërkuar që ka nevojë për mua, duke parë edhe situatën financiare, por edhe kohën e përshtatjes me një stërvitje apo program të ri.

Kemi parë që disa federata kanë afruar sportistë të huaj për të garuar për Shqipërinë. Po atletika, e ka si opsion diçka të tillë dhe, a kemi ndonjë zhvillim konkret në këtë aspekt?
Kemi një kërkesë për një sportiste shumë e mirë që të jetë pjesë e Shqipërisë. Unë mendoj që ata duhet të vijnë këtu duhet ti sjellin vlerë federatës. Kur them vlerë nuk i referohem vetëm medaljes, por edhe të stërviten këtu, pasi vetëm kështu u japin mundësinë edhe të rinjve që të marrin nga eksperienca e tyre, pra kjo do të ishte një vlerë e shtuar. Më konkretisht bëhet fjalë për një atlete kubaneze, e cila ka qenë kampione olimpike dhe tre herë kampione bote në hedhje çekiçi. Është sportistja më e mirë e periudhës së saj. Ka 6 vite që e ka lënë sportin dhe tashmë i është rikthyer sërish. Ka pasur një kërkesë prej nesh, duke qenë se ajo tani do të fillojë të jetojë në Shqipëri, pasi është bashkëshortja e fizioterapistit të ekipit tonë kombëtar. Nëse merr lejen nga Federata Botërore dhe pajiset me pasaportë shqiptare, mendoj që kualifikohet për në Lojërat Olimpike, por janë disa etapa që duhen kaluar. Yipsi Moreno quhet, kështu që çdo njeri mund ta shikojë karrierën e saj. Për fatin tonë të mirë sportistja do të jetojë në Shqipëri dhe kjo është e sigurt dhe më vonë me shumë gjasa do të jetë edhe trajnere e Kombëtares për hedhjet, për ta çuar skuadrën tonë në një nivel tjetër.

atletika

0

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"