“Duam ngjitjen direkt”, Asllanaj i ka idetë e qarta: Nuk i besoj krizës së Luzit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2023 | 23:59

“Duam ngjitjen direkt”, Asllanaj i ka idetë e qarta: Nuk i besoj krizës së Luzit

Kupë apo kampionat, për Apoloninë nuk ka fare rëndësi. Skuadra vazhdon të bindë me lojë dhe rezultat. Pasi likuiduan në shifrat 4-0 Naftëtarin në mesjavë, tani e kanë kthyer mendjen te Luzi 2008. Luajnë në transfertë dhe e lehtë nuk do të jetë, të paktën kështu e sheh Ersildjo Asllanaj.

Untitled-design-89

Mbrojtësi nuk i beson fort krizës së kavajasve, ndaj kërkon kujdes maksimal. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet edhe për objektivat. Ndonëse deri tani në Fier janë treguar të kujdesshëm kur vjen puna te ngjitja, 21-vjeçari e thotë hapur që do elitën.

Apolonia e nisi në mënyrë perfekte aventurën në Kupën e Shqipërisë. Cilat do të jenë objektivat në këtë kompeticion?

Duam dhe pretendojmë të shkojmë sa më larg në Kupën e Shqipërisë. Do t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe nuk do të anashkalojmë asnjë kompeticion. Çdo përballje është shumë e rëndësishme për ne. Jemi me fat që ekipi ka në përbërjen e tij lojtarë shumë të fortë, që mund të dalin fitimtarë kudo e kurdoherë.

Si është gjendja e skuadrës pas pauzës dyjavore dhe rotacionit të ndodhur në mesjavë?

Është një sezon i gjatë dhe i vështirë, por ne jemi gjithmonë të gatshëm për të dhënë e marrë maksimumin. Mbizotëron harmonia dhe fryma pozitive. Grupi i lojtarëve është më i plotë se kurrë. Gjendja e skuadrës është shumë e mirë dhe gjatë këtyre dy javëve kemi munduar që të përgatitemi sa më të mirë për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Luzit 2008.

Në fundjavë udhëtoni në Luz. I kalueshëm si kundërshtar?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe na duhet të jemi 200% të fokusuar në lojë. Nëse zbatojmë me përpikëri këshillat e trajnerit, jam i bindur që ia dalim kundër Luzi 2008. Dita-ditës jemi duke punuar fort, që gjithçka të shkojë perfekt në këtë transfertë dhe Apolonia të marrë pikët e plota. Objektivi ynë është vetëm fitorja.

E bën më të vështirë apo më të lehtë këtë takim fakti që kundërshtari është në vendin e fundit dhe ka vetëm dy pikë?

Pikësëpari kjo renditje është thjesht provizore, asgjë nuk ka përfunduar dhe gjithçka mund të ndryshojë në javët e ardhshme. Do të jetë gabim fatal nëse mendojmë se kjo do të jetë një ndeshje e lehtë. Gjithsesi, ne jemi të vetëdijshëm që kundërshtari do të kërkojë maksimumin e pikëve edhe për të dalë nga kriza, por edhe për të triumfuar për herë të parë në shtëpi.

Renditeni të tretët, por jeni shumë afër dy vendeve të para, Bylisit dhe Elbasanit. E synoni ngjitjen direkt në elitë?

Po e synojmë ngjitjen direkt në “Abissnet Superiore”. Objektiv shumë i vështirë, por jo i pamundur për t’u arritur, duke ditur mundësitë e cilësitë që kemi në organikë. Kundërshtarët janë aty-aty të gjithë dhe çdo ndeshje vlen tri pikë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"