“Dua të trashëgoj emrin e dinastisë së Farrukëve”, 21-vjeçari “frymëzon” Burrelin: Bëhemi faktor në këtë kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2022 | 15:16

“Dua të trashëgoj emrin e dinastisë së Farrukëve”, 21-vjeçari “frymëzon” Burrelin: Bëhemi faktor në këtë kampionat

Florenc Farruku “frymëzon” Burrelin. Sa herë ai shënon, skuadra fiton. Kështu ka ndodhur në dy ndeshje kampionati, fillimisht me Orikun dhe së fundmi me Burrelin. Matjanët janë ende në ujëra të turbullta në renditje, e megjithatë 21- vjeçari paralajmëron se ata do të jenë faktor në këtë kampionat. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai analizon ecurinë e skuadrës dhe flet për formën e tij.

FB_IMG_1664739211851-768x768

Shënuat gol dhe asist kundër Tomorit. E prisnit?

Ishte një ndeshje vendimtare për ne, që do të shërbente si pikë kthese. Dhe arritëm t’ia dalim. Unë jam gjithnjë i angazhuar për të dhënë maksimalen, ndaj di të them që bëra vetëm detyrën. Jam i kënaqur me atë çfarë kam mundur të bëj për ekipin dhe shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm, për të dhënë më të mirën e mundshme dhe do të punoj në vazhdimësi që ekipi të jetë aty ku duhet të jetë, në mesin e më të mirëve.

Sa herë ju shënoni, Burreli fiton. Rastësi?

Kjo më bën më optimist dhe më frymëzon që të kem sa më shumë dëshirë për të kontribuar për skuadrën time. Shpresoj të kem sa më shumë ndeshje të tilla, duke u stërvitur intensivisht, dhe marrë sa më shumë ngarkesë në stërvitje kolektive dhe individuale për të qenë shembulli i një lojtari që lë “shpirtin” në fushë për ekipin.

Pavarësisht pikëve të marra përsëri jeni në grupin e skuadrave që rrezikojnë rënien. Pse kjo gjendje?

Mund të veçoj faktin se kemi pasur shumë mungesa dhe dëmtime, pa harruar faktin që në start e nisëm me dy transferta të vështira. Luajtëm me Dinamon dhe Skënderbeun, që nuk shkuan aq mirë.

Mbiemri juaj është i lidhur ngushtë me futbollin. Por cilit prej Farrukëve dëshironi t’i ngjani?

Të jesh pjesë e një dinastie është krenari, por dhe një “presion” i madh moral. Duhet të jesh në lartësinë e atyre, të cilët kanë dhënë shumë për futbollin matjan dhe jo vetëm, siç janë: Dali, Xhelal dhe Kastriot Farruku. Unë jam krenar për xhaxhallarët e mi dhe shumë i motivuar që të jap maksimumin tim. Synoj të arrij sado pak në nivelin e tyre, të paktën sa për të mos i zhgënjyer(qesh). Nuk dua t’i ndaj asnjëherë, por thjesht do të isha shumë krenar nëse unë do të arrij t’i ngjaj njërit nga ata të tre. Dhe kjo do të ishte arritja më e madhe për mua, që të mbaj lart dhe trashëgoj emrin e dinastisë së Farrukëve.

MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"