Dritan Smajli prezantohet te klubi që ra nga kategioria: Si lezhjan, më takon të ngjis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2023 | 21:38

Dritan Smajli prezantohet te klubi që ra nga kategioria: Si lezhjan, më takon të ngjis

Besëlidhja ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, teksa dje presidenti Xhulio Noka ka prezantuar para ekipit trajnerin Dritan Smajli. Ndryshe sa jemi mësuar ta ndjekim Besëlidhjen, sezonin e ri do ta nisë nga Kategoria e Dytë.

smajli

Në ditën e parë të grumbullimit ishin pjesa e madhe e futbollistëve që mbyllën sezonin dhe tre të ardhurit nga Veleçiku. Arsen Elbasani, Florin Bardulla dhe portieri Leonard Kaçi. Sa i përket Arsen Hajdarit, ky i fundit ende nuk e ka vendosur përfundimisht.

Pas prezantimit trajneri Smajli mori fjalën: “Që nga sot (dje) nisim fazën përgatitore për sezonin e ri futbollistik. Besëlidhja tashmë do të luajë në Kategorinë e Dytë, zonë që nuk na përket, ndaj ne na duhet që ta rikthejmë aty ku e meriton. Unë kur e kam marrë përsipër drejtimin e Besëlidhjes jam menduar shumë, pasi kemi vetëm një objektiv, atë të ngjitjes në Kategorinë e Parë.

Unë kam peshën më të madhe morale si lezhjan që jam, por edhe ju si futbollistë që keni pranuar të vishni fanellën e këtij ekipi keni përgjegjësi. Unë jam një njeri që deri këtu kam ardhur me disiplinë të rreptë, mbajeni mend se edhe te ju do ta kërkoj me fanatizëm. Nuk ka tolerime, pasi Besëlidhja duhet t’i kthehet habitatit natyror. Unë nuk njoh njeri këtu, të 25 futbollistët që do të më bindin do të bëhen pjesë zyrtare e skuadrës, pavarësisht se sa do të ofrojmë apo do të vetofrohen. Formacionin do ta formatoni ju me performancën që do të shpalosni si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshjet miqësore e zyrtare”, mbylli prononcimin e tij Dritan Smajli gjatë prezantimit.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"