Drejtor i akademisë, Kule mbështet reformën te moshat: Futbolli ishte në drejtim të paditur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2022 | 22:55

Drejtor i akademisë, Kule mbështet reformën te moshat: Futbolli ishte në drejtim të paditur

Prej disa ditësh, futbolli i moshave ka hyrë në një debat të gjerë. Pas një vendimi të befasishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndryshoi formula e kampionateve dhe mbetën jashtë shumë ekipe të rëndësishme.

Kule

Këta të fundit kanë nisur të ngrenë zërin, por FSHF nuk bëri pas. Përkundrazi, Departamenti i Garave në FSHF ka hedhur shortin për edicionin e ri të kampionatit të kategorive “Abissnet Superiore” për grupmoshat U-19, U-17, U-15, U-14 dhe U-13. Të pesta këto kampionate përbëhen nga 10 skuadra, me sezonin që do të ketë 18 javë të ndara në dy faza. Apolonia e mbështet plotësisht këtë reformë dhe këtë e konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport” drejtori i akademisë, Mariglen Kule.

“E mbështes plotësisht reformën e ndërmarrë. Jemi shumë të kënaqur me këtë strukturë të re që ka menduar Federata, pasi do të luajmë në kushte shumë më të mira infrastrukturore. Ndihem jashtëzakonisht mirë që do të ndeshemi me akademi të tjera konkurruese, si: Partizani, Tirana, Vllaznia, Dinamo etj.

Ishte domosdoshmëri zhvillimi i ndeshjeve në fusha me parametra të UEFA-s. Nëse duam cilësi në futbollin e moshave, atëherë akademitë në vend duhet të plotësojnë e përmirësojnë kushtet e tyre, që nga terrenet e fushat sportive dhe deri tek ambientet e brendshme të akademive.

E dimë shumë mirë që disa klube e akademi do të preken nga kjo reformë e re, por ato të gjitha duhet të vetërregullohen e vetëpërmirësohen për të mirën e përbashkët që është futbolli i luajtur në fushën e blertë. Pikësëpari, futbolli i moshave në Shqipëri kishte ikur në drejtim të paditur dhe, për fat të mirë, tani u vu në shina. Kjo është shumë pozitive për futbollin në veçanti dhe sportin në tërësi.

Prej 30 vitesh jam i lidhur ngushtësisht me futbollin, herë si lojtar e si trajner, gjithashtu së fundmi si drejtor i akademisë fierake dhe mund të them pa frikë se është hera e parë që është bërë diçka kaq e mirë për futbollin. Pa asnjë diskutim që do të rritet cilësia dhe njëkohësisht do të shtohet konkurrenca në futbollin e të rinjve.

Shumë shpejt sportdashësit, dhe jo vetëm, në mbarë vendin do ta kuptojnë se të gjithë do të dalin të fituar nga kjo reformë e re. Falënderojmë FSHF-në që më në fund vuri dorë në futbollin e moshave për të garantuar një kampionat sa më dinjitoz dhe konkurrues”, përfundoi Kule.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"