Do të mungojë ndaj Teutës për shkak të kartonëve, mbrojtësi i Erzenit prish planet e Deliallisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2023 | 10:40

Do të mungojë ndaj Teutës për shkak të kartonëve, mbrojtësi i Erzenit prish planet e Deliallisit

Erzeni ka provuar “shijen” e çdo rezultati në këtë fazë të parë, por duke pasur më tepër humbje sesa fitore. Në shtatë javë shijakasit kanë koleksionuar dy fitore, dy barazime dhe tri humbje, duke qenë aktualisht në vendin e shtatë me tetë pikë të grumbulluara. Këtë të diel në orën 18:00 në stadiumin “Niko Dovana”, Erzeni do të luajë derbin kundër Teutës.

F.Hazisllari

F.Hazisllari

Skuadra e Alfred Deliallisit rikthehet në Durrës, aty ku në sezonin e kaluar e ka pasur si shtëpi, pasi luante ndeshjet brenda, që gjatë këtij sezoni i zhvillon në Rrogozhinë. Në edicionin e kaluar dy skuadrat janë përballur 6 herë mes kampionatit dhe Kupës. Teuta është kualifikuar në Kupë, ndërsa në kampionat ekipet kanë ndarë dy barazime dhe nga një fitore secili.

Pas humbjes në Kukës, shijakasit janë rikthyer me këmbë në tokë dhe tashmë po përgatiten për të bërë kthesën pikërisht në derbi. Skuadra është stërvitur normalisht në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, ndërsa në prag të ndeshjes me Teutën është konfirmuar mungesa e qendërmbrojtësit Nehar Sadiki.

Ky i fundit, me kartonin e verdhë të marrë në Kukës, plotësoi numrin katër të tyre dhe është i detyruar të mungojë ndaj Teutës këtë javë. Duke shtuar këtu edhe largimin para kohe të mbrojtësit tjetër, Adolf Selmani, alternativat për trajnerin Deliallisi zvogëlohen ndjeshëm.

Aktualisht për qendrën e prapavijës janë në dispozicion Atanda dhe Kacbufi, ndërsa i gatshëm në stol është Duka. Deliallisi pritet të bëjë ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen e fundit në Kukës, ku skuadra humbi me përmbysje.

Trajneri shpreson të ketë 100% të gatshëm edhe sulmuesin Agim Zeka, i cili ka pasur probleme muskulore në javën e kaluar dhe e nisi nga stoli me Kukësin, për t’u aktivizuar vetëm në pjesën e dytë.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"