“Do ta lija futbollin”, rrëfehet 32-vjeçari Perja: Nuk pranova asnjë ofertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2023 | 23:52

“Do ta lija futbollin”, rrëfehet 32-vjeçari Perja: Nuk pranova asnjë ofertë

Skerdian Perja e kishte ndarë mendjen për të lënë futbollin, ndonëse është vetëm 32 vjeç. Nuk arriti akordin financiar me Besën gjatë muajit korrik dhe vendosi që të mos i bashkohej as në stërvitje. Oferta nga klube të tjera pati ndërkohë, por i refuzoi që të gjitha. I ishte fiksuar që donte ta niste dhe mbyllte karrierën me kavajasit, aty ku e nisi. Gjatë gjithë jetës së tij futbollistike në fakt, ka mbrojtur vetëm fanellën verdhezi dhe nuk janë pak, por 11 vite.

Perja Besa

Duhet të vinte 19 shtatori, që karriera e kapitenit të merrte tjetër kthesë. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësit tregon se si ishte kjo periudhë larg Besës. “Ndoshta jam ndër të vetmit kavajas, që kam refuzuar çdo ofertë. Dhe kjo nuk ndodhi sot, por për aq vite sa luaj futboll. Kam preferuar të gëzoj e ‘qaj’ vetëm me fanellën e qytetit tim. Në korrik, ofertës së presidentit Bizhdili i paraqita disa kushte.

Nuk bëhet fjalë për miliona, më mirëkuptoni, por thjesht një vlerësim aq sa meritoja për kontributin e dhënë. Për arsye që ai i di, nuk ramë dakord dhe qëndrova larg Besës. Por ofertat më ‘mbytën’, madje të tilla për të mos u anashkaluar financiarisht nga Kategoria e Parë, dhe jam i sinqertë për këtë. I refuzova të gjitha, pasi siç e thashë, këmbët më bëjnë të luaj vetëm verdhezi”, tha fillimisht Perja.

FTESA – Ndonëse kanë nisur tri javë, pengesë për federimin nuk ka. Është i regjistruar nga vjet dhe rregullorja e lejon. “Pas 3 javësh kampionat që i ndoqa të gjitha ndeshjet si spektator, presidenti më ftoi një ditë dhe folëm gjatë. Gjetëm akordin dhe jam i lumtur që si çdo sezon do të sakrifikoj për të justifikuar këtë vlerësim të Bizhdilit për mua”, theksoi 32-vjeçari.

Besa Perja

GRUPI – Se si e ka parë grupin aktual dhe çfarë mund të arrijë ky grup, Perja përgjigjet kështu: “Nëse nuk do të besoja te ky grup, atëherë nuk kisha përse të rikthehesha vetëm për 1 rrogë. Ta themi hapur. Në 3 javët që kam ndjekur, e them me bindje se përtej fitores, barazimit apo humbjes, Besa ka qenë më e qartë dhe me pak kujdes sot duhet të kishte më së paku 7 pikë.

Nuk është sekret t’ua them, se lojtarët e Besës kur janë në avantazh 1-0 apo 2-1 nuk shtrihen në fushë të abuzojnë, apo largojnë topat jashtë. Rasti ideal është Apolonia, ku me fare pak vonesa, stimulime, fitorja ishte e garantuar. Me pak fjalë, besoj fort te ky ekip. Duhet të korrigjojmë diçka në pësimin e golave dhe do të jemi ndër pretendentët”, përfundoi mbrojtësi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"