Dinamo s’e bën dramë barazimin në Cërrik, sulmuesi i bluve tremb trajnerin Mehmeti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2023 | 13:10

Dinamo s’e bën dramë barazimin në Cërrik, sulmuesi i bluve tremb trajnerin Mehmeti

Dinamo nuk mundi të përfitonte fund javën që shkoi për të marrë kreun e renditjes së Kategorisë së Parë. Barazimi i dy rivalëve në Vlorë u shkoi për shtat kryeqytetasve, por ata nuk ia dolën të përmbushnin misionin e tyre për të fituar ndaj Turbinës në transfertë.

dinamo

Gjithçka në renditje mbeti si më parë, me blutë 1 pikë pas Skënderbeut dhe 2 pikë para Flamurtarit. Edhe pse nuk u shfrytëzua një ‘bonus’ i mirë, siç ndodhi edhe me Apoloninë, barazimi 1-1 në “Nexhip Trungu” nuk është përjetuar si një dramë në kampin dinamovit.

Fakti që Dinamo është sërish në 2-shen e parë e zbut disi dhimbjen për 2 pikët e lëna, por gjithashtu është e qartë se në këtë moment delikat të kampionatit nuk është aspak e lehtë të mposhtësh asnjë skuadër dhe aq më tepër jashtë fushe.

Skuadrës së drejtuar nga trajneri Mehmeti i kanë mbetur edhe sfidat me Besën, Lushnjën dhe Luzin, ndërkohë që janë të sigurta 3 pikët e ndeshjes me Tërbunin e përjashtuar. Një ditë pas ndeshjes së Cërrikut skuadra është lënë pushim dhe nga sot do të nisë punën për përballjen me Besën, ku fitorja është detyrim.

DENISON Stafi teknik dhe lojtarët e Dinamos u shtangën gjatë pjesës së parë të ndeshjes në Cërrik, ku Denison kërkoi ndërrim, pasi ndiente një shqetësim muskulor. Ai rezistoi deri në pushim dhe në pjesën e dytë ia lë vendin Patrik Bardhit.

denison

Dëmtimi i futbollistit brazilian, që ka pësuar një tërheqje, pasi nuk pati asnjë konfrontim fizik me lojtarët kundërshtarë, i ka trembur jo pak drejtuesit e Dinamos.

Lojtari pret përgjigjet e kontrolleve të specializuara që ka kryer dje për të mësuar shkallën e dëmtimit. Sipas vetë lojtarit, nuk duket një problem serioz, megjithatë duhet pritur përgjigja e kontrolleve mjekësore.

Nëse Denison humb qoftë edhe një ndeshje të vetme, është një problem i madh për trajnerin Mehmeti. Kujtojmë që braziliani është golashënuesi më i mirë i Dinamos dhe Kategorisë së Parë, me 12 gola.

Jo vetëm për golat, por edhe për lojën e tij, sulmuesi është i domosdoshëm për blutë në këtë pikë të kampionatit, ku shënimi i golave bëhet gjithmonë e më i vështirë.

Në 3 ndeshjet e fundit kryeqytetasit e kanë gjetur rrugën e rrjetës vetëm 3 herë, në Vlorë me penallti pikërisht me Denison, ndaj Korabit me anë të Danajt dhe në Cërrik me anë të Allmuçës.

TË TJERËT Lojtarë të tjerë te Dinamo që kanë pasur dëmtime janë mesfushorët Sabien Lilaj dhe David Ivan. Korçari ishte në stol në ndeshjen e fundit, kurse sllovaku nuk u grumbullua fare nga trajneri Dritan Mehmeti. Lilaj nuk u rrezikua, edhe pse ishte stërvitur me grupin. Pritet që ai dhe Ivan të jenë plotësisht gati për ndeshjen e radhës.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"