Dinamo pragmatiste / Trajneri Mehmeti e do “zero” mbrapa, blutë nuk rrezikojnë asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2023 | 14:46

Dinamo pragmatiste / Trajneri Mehmeti e do “zero” mbrapa, blutë nuk rrezikojnë asgjë

Faza finale e kampionatit, ku pikët janë jetike, por edhe gara treshe me Skënderbeun dhe Flamurtarin, e kanë bërë Dinamon më pragmatiste se kurrë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Dritan Mehmeti i ka fituar me rezultatin 1-0 të dyja ndeshjet e fundit, duke marrë 6 pikë që e mbajnë në vend të dytë, 1 pikë pas korçarëve kryesues.

dinamo

Veçanërisht në ndeshjen me Korabin u duk qartë se kryeqytetasit po kujdesen shumë për detajet: Dinamo duhet të shkojë te fitorja pa rrezikuar asgjë prapa, sepse pastaj vështirësia dyfishohet.

Blutë u rrezikuan vetëm në dy raste nga dibranët, ndërsa përpara krijuan 4-5 momente të mira për shënim, por duke finalizuar vetëm një herë me Redon Danajn.

SIGURIA Para ndeshjes së fundit trajneri Mehmeti humbi Lilajn për një gjendje gripale, ndërsa nuk luante sllovaku Ivan për shkak dëmtimi. Dy mungesa të rëndësishme në mesfushë, ndërsa në stol ishin Preloshi dhe Smaçi, të dy mesfushorë qendre, apo edhe Allmuça, që mund ta mbulojë këtë rol me eksperiencën që ka.

Megjithatë, trajneri Mehmeti zgjodhi të aktivizonte mbrojtësin Alesio Mija në rolin e shkatërruesit. Një lojtar agresiv, që mund ta ndihmojë skuadrën për t’u mbrojtur më mirë. Dhe Mija e kreu shumë mirë detyrën e tij, duke i dhënë të drejtë stafit teknik.

Në këtë moment të kampionatit nuk mund të flitet më për nivelin e lojës, pasi përparësi absolute kanë pikët. Një skuadër si Dinamo, që kërkon me çdo kusht Superioren, nuk mund t’ia falë vetes gabime të tjera, ndaj dhe trajneri Mehmeti fillimisht kërkon sigurinë prapa.

Ai e di shumë mirë se sa e vështirë është që të përmbysësh rezultatin në këto ndeshje të fundit të garës, aq më shumë në Kategorinë e Parë dhe akoma më tepër në terrene problematike, siç është aktualisht gjendja e fushës së stadiumit “Selman Stërmasi”.

SITUATA Festa e fitores me Korabin përfundoi disa minuta pas ndeshjes, ndërsa tani vëmendja ka kaluar te transferta e së dielës në Cërrik. Për këtë ndeshje pritet që Dinamo të ketë një grup më të plotë, pasi gjasat janë që të rikthehen mesfushorët Lilaj dhe Ivan.

Janë të dy lojtarë me eksperiencë, që dinë të veprojnë mirë me topin dhe e ndihmojnë skuadrën për të menaxhuar situatat. Po ashtu, edhe lojtarë si Patrik Bardhi dhe Redon Danaj, të cilët u aktivizuan me Korabin, pritet të jenë në një formë më të mirë në fundjavë. Ata vijnë nga dëmtimet dhe kërkojnë edhe pak kohë që të jenë në gjendjen optimale.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"