Dinamo po vuan në sulm, i mungon një “9” klasike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2023 | 20:16

Dinamo po vuan në sulm, i mungon një “9” klasike

Dinamo po vuan finalizimin. Në dy ndeshjet e fundit, nuk kanë mundur të shfrytëzojë rastet e krijuara. Edhe pse kanë sulmin më të mirë të kampionatit (me 27 gola), po has sërish vështirësi. Nëse për pjesën e mbetur të Kategorisë së Parë një qendërsulmues i mirë është i nevojshëm, në Superiore bëhet i domosdoshëm.

dianmo

Mbetet për t’u parë nëse do ta gjejnë dot që tani apo do ta shtyjnë për në verë. Për të korrigjuar diçka në këtë drejtim, do t’u shërbejë miqësorja e sotme në Durrës. Prej orës 12:00 do të masin forcat me kosovarët e Trepçën, për të parë se ku janë.

MARKU E GJONI – Golashënuesi Taulant Marku po kalon një moment të vështirë. Janë situata që i kalon çdo lojtar, por përballë Kastriotit ai shpërdoroi të paktën dy raste shumë të mira. Blutë shpresojnë që ai të zhbllokohet që ndaj Luzit, pasi “sytë” i kanë vetëm tek ai.

GJONI – Në vazhdim do të kenë në dispozicion edhe Amarildo Gjonin, i cili vjen nga kategoritë inferiore italiane, ashtu si dhe Alen Ndreu. Ky i fundit luajti në pjesën e dytë ndaj Kastriotit, por edhe për shkak të moshës së re nuk duket lojtari që mund të mbajë peshë në sulm. Për t’u zbuluar është Gjoni, 23-vjeçari, tek i cili drejtuesit e klubit kanë shumë besim.

Nëse sulmuesi bind, atëherë me siguri afrimi i një qendërsulmuesi me kualitet për Superioren do të bëhet në merkaton e verës. Blutë mund ta arrijnë Superioren edhe me këtë grup që kanë aktualisht, por nuk mund t’i lihet asgjë rastësisë, sidomos nga një skuadër me objektiva madhorë.

QENDËRSULMUES I MUNGUAR – Dinamo në fakt ka vuajtur për qendërsulmues prej kohësh, që sezonin e kaluar. Klubi afroi Xhuljano Skukën kur formoi ekipin e elitës, por dibrani asnjëherë nuk luajti si sulmues qendre dhe më keq akoma janarin e kaluar e larguan. Një gafë kjo, e pasuar nga një tjetër: afrimi i Rexhinaldos, që rezultoi dështim.

Edhe fieraku Mario Gjata u largua nga ekipi janarin e kaluar. Edhe këtë sezon, skuadra kryeqytetase nuk ka pasur një “9” të mirëfilltë, pasi Taulant Marku është më tepër sulmues krahu. Denison dhe Patrik Bardhi po ashtu luajnë në krah, Danaj është më tepër një “10”, ndërsa Ndreu është shumë i ri. Shpresat janë që klubi të ketë goditur në shenjë me Gjonin.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"