Dinamo nuk dorëzohet, blutë e Dedes do të tentojnë kualifikimin në Fushë-Krujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 11:23

Dinamo nuk dorëzohet, blutë e Dedes do të tentojnë kualifikimin në Fushë-Krujë

Ajo humbje 1-3 në ndeshjen e parë në “Selman Stërmasi” lë vend për pak shpresë, por Dinamo do të tentojë përmbysjen sot në Fushë-Krujë. Blutë do të luajnë shanset e tyre ndaj Kastriotit, të cilin e dominuan me lojë dy javë më parë, por u ndëshkuan nga gabimet e tyre.

dinamo

Janë pikërisht loja dhe rastet që Dinamo krijoi në sfidën e parë që e bëjnë skuadrën kryeqytetase të zbresë me besim në fushë.

Ndaj krutanëve duhen së pari fitoret 2-0 ose 3-1 për të çuar sfidën në kohën shtesë, ose triumf më të thellë për kualifikimin direkt në çerekfinale. Edhe pse objektivi kryesor i Dinamos është kampionati, Kupa e Shqipërisë nuk do të nënvlerësohet aspak.

“Do të luajmë futboll”, – është shprehur dje një nga drejtuesit e Dinamos, pa dashur të thotë më shumë.

Trajneri Nevil Dede pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë sot ndaj Kastriotit. Në futboll gjithçka mund të ndodhë dhe blutë do t’ia bëjnë shërbimin ndeshjes së sotme.

Ashtu siç episodet i ndëshkuan në ndeshjen e parë, sot mund t’i favorizojnë, por në kampin dinamovit e kanë të qartë se duhet të japin gjithçka dhe të gabojnë sa më pak.

Stafi teknik nuk do të kursejë askënd, sepse ndeshja e kampionatit me Orikun luhet ditën e hënë dhe ka kohë për rikuperim.

Nëse blutë bëjnë ndonjë mrekulli sot në Fushë-Krujë, në çerekfinale i pret derbi me Tiranën, që do të ishte edhe një sfidë prestigji për ta.

Ndërkohë, në fundin e merkatos klubi blu ka bërë dy lëvizje në dalje, teksa Ali Samake është huazuar te Lushnja, ndërsa Arb Shala në Kosovë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"