Dinamo në krizë rezultatesh, presidenti Bardhi do reagim në derbi: Ky moment kalohet me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2023 | 21:58

Dinamo në krizë rezultatesh, presidenti Bardhi do reagim në derbi: Ky moment kalohet me…

Fillimi i këtij sezoni është shumë larg pritshmërive te Dinamo, që pas 4 javësh e sheh veten me vetëm 3 pikë në tabelën e renditjes. Tri humbje që në start janë një goditje e rëndë për klubin që ka investuar më shumë se të tjerët për stafin teknik, por edhe në merkato.

bardhi-dinamo

Rezultatet lënë pak vend për interpretim, është një fillim më i dobët se ai i dy sezoneve më parë, kur blutë riktheheshin në elitë pas një kohe të gjatë dhe që në fund zbrisnin sërish në Kategorinë e Parë. Një situatë që sigurisht ka sjellë pakënaqësi në radhët e klubit dhe tifozëve. Humbja me Erzenin ka lënë një shije shumë të hidhur, sepse ishte një nga ato ndeshje, ku Dinamo duhej të fitonte dhe të afrohej me kreun e renditjes.

DEKLARATA- Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, nuk e fsheh faktin se priste rezultate të tjera, por ai i afron mbështetje stafit teknik dhe grupit të lojtarëve pas këtyre humbjeve. Kreu i klubit dinamovit, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se ka besim se kthesa do të vijë, ndoshta që në derbin e kësaj jave dhe se Dinamo do të jetë pretendente serioze për 4-shen e parë.

“Patjetër që është një moment i vështirë. Duhet pranuar se nuk i prisnim këto rezultate, ndërsa loja në disa ndeshje ka qenë e mirë dhe në disa jo. Është një moment që kërkon qetësi për ta kaluar. Ne si drejtues mbështesim si stafin teknik, ashtu edhe futbollistët. Kemi besim se ata do të dinë ta kalojnë këtë situatë dhe do ta kthejnë Dinamon aty të gjithë dëshirojmë. Nga ana jonë jemi munduar t’ia bëjmë shërbimin siç na është kërkuar që skuadra të ketë kushtet optimale për të pasur një ecuri sa më të mirë. Ndoshta do të duhet kohë, siç është thënë shpesh.

Ndoshta kanë ndikuar edhe mungesat që kemi pasur në ndeshjet e fundit, duke nisur me kapitenin Hoxha, Andonin e me radhë. Ne kemi besim se kjo skuadër ka forcë të reagojë dhe të gjithë bashkë duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën për kthesën e shpejtë. Si është një ndeshje nuk është tjetra dhe mendoj se kemi mundësi që të bëjmë diçka pozitive që në derbin me Partizanin këtë fundjavë. Dinamo bëri lojëra të mira në dy javët e para, duke bërë një hap përpara në këtë drejtim. Skuadra del mirë përpara dhe arrin të krijojë raste të pastra shënimi në portën kundërshtare.

Me Erzenin e kthyem lojën në pjesën e dytë dhe kishim mundësi të fitonim, por u ndëshkuam nga një gabim yni. Është fillimi dhe siç e thashë, besojmë te kthesa. Tani sigurisht që kërkohen edhe rezultatet, që ne të jemi aty ku kemi objektivin tonë për këtë sezon: në katërshen e parë të renditjes. Le të shpresojmë për kthesën”, ka thënë mes të tjerash presidenti Bardhi. Përpara është derbi me Partizanin dhe objektivi minimal i bluve është që të shmangin një tjetër humbje, që do ta rëndonte situatën.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"