Dinamo kërkon titullin dhe milionat, gjithçka varet nga Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2023 | 21:19

Dinamo kërkon titullin dhe milionat, gjithçka varet nga Besa

Dinamo u ngjit matematikisht në elitë dhe tashmë po mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm. E megjithatë, llogaritë me Kategorinë e Parë nuk janë mbyllur ende. Ka edhe një garë të hapur për titullin kampion. Blutë janë ende në lojë, ndonëse shanset janë të pakta në raport me Skënderbeun. Korçarët kanë 4 pikë më shumë dhe nëse ata fitojnë ndeshjen e radhës me Besën, atëherë kryeqytetasit do ta kenë sa për statistikë javën e fundit ndaj Luzit. Por, nëse bardhekuqtë ndalen nga kavajasit, atëherë çështja e kreut do të vendoset më 13 maj. Për këtë arsye stafi teknik kërkon ta mbajë të karikuar grupin e futbollistëve.

dinamo

PRESTIGJI  Nuk është se ndryshon shumë në fakt, nëse del apo jo kampione Dinamo. Objektivi kryesor është arritur, por trofeu do të ishte më tepër një çështje prestigji për kryeqytetasit. Titulli kampion do ta bënte më të bukur rikthimin në Superiore, ndaj dhe në kampin dinamovit duan t’ia bëjnë shërbimin deri në fund. Titulli nuk është vetëm në dorën e tyre, ata e dinë shumë mirë këtë gjë, por është një motiv që lojtarët të jenë të përqendruar në stërvitje edhe për këto javë të fundit që i kanë mbetur sezonit.

SHPËRBLIMI –  Përveç prestigjit, në lojë është edhe shpërblimi prej 30 milionë lekësh (të vjetër) për ekipin kampion të Kategorisë së Parë. Dhe kjo është një arsye më shumë që Dinamo të tentojë deri në fund për t’u shpallur kampione, nëse Skënderbeu do ta lejojë. Nëse kjo shumë, edhe pse modeste, shkon për klubin, do të ishte akoma më mirë. Blutë do të ishin më të çlodhur për ndeshjen e fundit në fushën e Luzit, sepse javën e 25-të janë pushim. Por gjithçka varet nga… Besa. Kavajasit mund ta mbajnë të hapur çështjen e titullit, nëse marrin pikë në Korçë, në të kundërt asnjë llogari nuk ka vlerë.

SKUADRA – Pas tri ditësh pushimi, skuadra ka rinisur dje stërvitjen në fushë. Fakti që Dinamo do të pushojë edhe javën e 25-të të kampionatit ka bërë që stafi teknik të lejonte këtë pushim të gjatë. Blutë, të paktën deri dje, nuk kishin planifikuar as ndonjë ndeshje miqësore për këtë fundjavë, ndoshta për faktin se kanë pasur disa lojtarë me probleme fizike. Këtë të fundit kanë tashmë gjithë kohën e nevojshme të rikuperohen plotësisht dhe të jenë gati për trajnerin Dritan Mehmeti për ndeshjen me Luzin.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"