Dinamo kërkon kreun, Mehmeti: Titulli s’varet nga ne, gati të përfitojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 10:15

Dinamo kërkon kreun, Mehmeti: Titulli s’varet nga ne, gati të përfitojmë

Me transfertën e sotme ndaj Luzit Dinamo mbyll kampionatin e Kategorisë së Parë, për t’u rikthyer në elitë sezonin e ardhshëm. Në këtë javë të fundit vendoset edhe çështja e titullit kampion të Kategorisë së Parë, por në kampin dinamovit, për hir të së vërtetës, ka pas shpresë, sepse duhet të gabojë Skënderbeu që të përfitojë Dinamo.

Mehmeti Dinamo

MEHMETI – “Kemi përpara ndeshjen e fundit të sezonit dhe do të mundohemi ta interpretojmë sa më mirë. Në fakt, u bënë tri javë që jemi shkëputur nga ndeshjet zyrtare, sepse kishim edhe pushimin e ndeshjes me Tërbunin, megjithatë kemi punuar mirë këtë periudhë dhe besoj se Dinamo do të tregojë vlerat e saj në këtë transfertë.

Motivimi? Ne do të dalim në fushë për të respektuar veten në radhë të parë. Do t’ia bëjmë shërbimin këtij 90-minutëshi, duke synuar fitoren, që do të ishte një mbyllje dinjitoze. Një kënaqësi morale për ne dhe tifozët e Dinamos.

Titulli kampion në Kategorinë e Parë? Nuk varet nga ne, sepse duhet të gabojnë të tjerët, duhet të gabojë Skënderbeu, që është përpara nesh me pikë. Ne do të mundohemi të bëjmë punën tonë, pastaj nëse përfitojmë për titullin kampion, do të jetë edhe më mirë për ne”, – ka theksuar trajneri Mehmeti për “Panorama Sport”.

GJENDJA – Dinamo vjen në ndeshjen e sotme me një grup më të plotë, por sërish do të ketë mungesa. Mungesës së Smaçit i janë shtuar edhe ato të Bardhit dhe Dajës, të cilët për probleme fizike nuk do të jenë të gatshëm për stafin teknik.

Ka një dilemë edhe për sllovakun David Ivan, i cili ka ndierë sërish shqetësime. Rikthehet pas disa javësh braziliani Denison, i cili lufton edhe për trofeun e “Këpucës së Artë”. Lojtari i Dinamos ka shënuar 12 gola dhe rivalizon me Temitopen e Skënderbeut për trofeun individual.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"