Dinamo ka gati “blerjen” e parë për Superioren, Mehmeti do ketë lojtarin të cilin drejtoi te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2023 | 22:34

Dinamo ka gati “blerjen” e parë për Superioren, Mehmeti do ketë lojtarin të cilin drejtoi te Partizani

Merkatoja e Dinamos së Superiores fillon nga Albion Marku. Mund të quhet ai “goditja” e parë e bluve në merkaton e verës, që do edhe pak kohë të fillojë, sepse sezoni nuk është mbyllur ende. Por kjo lëvizje është e sigurt, sepse Marku është lojtar nën kontratë me Dinamon dhe që këtë sezon u huazua te Teuta në Superiore.

ALBION MARKU

Ai ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje me fanellën e Dinamos, që verën e kaluar e bleu kartonin e mbrojtësit të djathtë te kroatët e Lokomotivës. Ish-lojtari i Kombëtares U-21 njihet mirë nga trajneri i bluve, Dritan Mehmeti, pasi të dy kanë qenë bashkë te Partizani sezonin e kaluar. Me rikthimin e 22-vjeçarit, klubi kryeqytetas do të ketë në përbërje një element të rëndësishëm për sezonin e ardhshëm. Tashmë Marku është i ambientuar mjaft mirë me futbollin shqiptar.

LINJA E DJATHTË – Për stafin teknik të Dinamos, linja e djathtë mund të kthehet në një “problem”, pasi në këtë pozicion do të bëhen 4 lojtarë. Përveç Albion Markut, blutë kanë në organikë aktualisht edhe Silvio Vokrrin, Patrik Bardhin dhe Patrik Fetajn. Ky i fundit është një mbrojtës i mirëfilltë i krahut të djathtë, kurse Bardhi dhe Vokrri mund të luajnë edhe pak më përpara, pra janë më sulmues, por gjithmonë në linjën e djathtë. Që të katërt janë në kontratë me klubin kryeqytetas, por kuptohet që gjasat janë të pakta të qëndrojnë të gjithë. Katër lojtarë, pak a shumë për të njëjtin rol, do të ishin shumë.

Fetaj ka më shumë shanse largimi, duke qenë se në gjysmën e dytë të këtij kampionati ka qëndruar më shumë në stol. Vokrri është paraqitur mirë javët e fundit, duke e rritur nivelin e tij dhe njëkohësisht edhe mundësitë për të qenë me Dinamon edhe në Superiore. Sezoni i Patrik Bardhit, ndërkohë, ka qenë i kushtëzuar nga dëmtimet. Vendimet u takojnë pjesëtarëve të stafit teknik dhe drejtuesve të Dinamos.

PLANI PËR AFRIMET – Klubi kryeqytetas, ndërkohë, e ka nisur punën për përforcimet që pritet t’i bashkohen skuadrës në verë. Objektivi kryesor është që të afrohen lojtarë me kualitet, të cilët do të përbëjnë boshtin e Dinamos së re, qendërmbrojtës cilësorë, mesfushorë qendre cilësore dhe të paktën një qendërsulmues cilësor. Për sulmues është edhe puna më e vështirë, sepse lojtarët e këtij roli janë më të kërkuarit dhe më të paguarit. Përveç kësaj, nëse sulmuesi apo sulmuesit do të jenë të huaj, është edhe dyshimi se sa mund të përshtaten në futbollin shqiptar.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"