Dinamo hedh piketat e merkatos, ja çfarë do të kërkojnë të transferojnë blutë në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2023 | 9:20

Dinamo hedh piketat e merkatos, ja çfarë do të kërkojnë të transferojnë blutë në janar

E gjithë vëmendja është te ndeshja e 23 nëntorit me Erzenin, që ka marrë vlerat e një finaleje për blutë, sepse përcakton shumë në ecurinë e tyre të mëtejshme. Stafi teknik dhe lojtarët po mundohen ta përgatisin në mënyrën më të mirë këtë 90-minutësh, duke pasur edhe kohën në favorin e tyre.

dinamo

Edhe drejtuesit e klubit kryeqytetas mezi po e presin këtë ndeshje vendimtare, por ndërkohë po mendojnë edhe për merkaton e janarit. Duhet edhe një muaj e gjysmë, Dinamo ka edhe 7 ndeshje në program, por kuptohet që piketat e merkatos hidhen që tani, sepse dihet që në merkaton e dimrit është e vështirë të gjesh lojtarët e duhur.

MESFUSHA – Për momentin nuk mund të flitet me emra konkretë, sepse nuk ka asgjë konkrete. Thuajse të gjithë objektivat janë nën kontratë me klubet aktuale dhe duhet gjetur gjuha e përbashkët për lëvizjet e mundshme. Te Dinamo pritet që në janar të bëhen po aq afrime, sa do të jenë edhe largimet.

Gazeta mëson se fokusi i drejtorit sportiv Haris Fakiç, njeriu që ka në dorë më së shumti çelësat e merkatos, është te përforcimi i mesfushës. Reparti që të gjithë e konsiderojnë si më të rëndësishmin në futboll, te Dinamo, ka nevojë që të plotësohet me dy elementë cilësorë.

Gjatë ndeshjeve të deritanishme në mesfushë janë aktivizuar lojtarë si Lorran, Gudiabi, Andoni, Smaçi dhe Krasniqi, por edhe Mija. Për shumë ndeshje ka munguar Andoni, një nga blerjet kryesore të bluve, dhe stafi hasi vështirësi.

Aq më tepër pas mungesës së Gudiabit për kartonë dhe asaj të Smaçit për dëmtim. Qendra e mesfushës shpesh është sajuar te kryeqytetasit, ndaj dhe përforcimi i këtij sektori shihet me përparësi për merkaton e janarit.

SHQIPTARË – Në vëmendje të drejtuesve të Dinamos, gjithmonë duke iu referuar merkatos së dimrit, janë lojtarët shqiptarë. Kjo për dy arsye: e para se tashmë në skuadër ka shumë lojtarë të huaj dhe e dyta ka të bëjë me faktin se klubi kërkon elementë që mund të përshtaten shpejt me grupin dhe jo ‘baste’.

Aktualisht në radhët e bluve janë 7 lojtarë të huaj, Behiratçe, Mesa, Ali Samake, Gudiabi, Lorran, Karamba dhe Denison, 4 nga të cilët titullarë. Ardhja e lojtarëve të tjerë të huaj në janar do të kthehej në një problem për stafin, pasi numri i atyre që lejohen në fushë është i kufizuar.

Në anën tjetër, te Dinamo më shumë se te çdo skuadër tjetër e Superiores nuk ka kohë për të humbur. Ata lojtarë që do të vijnë, duhet ta njohin mirë kampionatin shqiptar, në mënyrë që të shkrihen shpejt me grupin, duke qenë efikasë menjëherë për trajnerin Mehmeti dhe stafin e tij.

Kjo do të thotë se nën vëzhgim janë lojtarë të kampionatit tonë dhe atij kosovar. Detaje të tjera në lidhje me merkaton e bluve do të mësohen në vazhdim, piketat tashmë janë hedhur.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"