Dinamo bëhet me sulmues, “Blutë” marrin 70% të kartonit të sulmuesit 18-vjeçar nga klubi italian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 18:55

Dinamo bëhet me sulmues, “Blutë” marrin 70% të kartonit të sulmuesit 18-vjeçar nga klubi italian

Nuk ka kohë për pushime të gjata. Dinamo është kthyer në fushën e stërvitjes ditën e martë, me fokusin te ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Kastriotin. Në anën tjetër, drejtuesit po mendojnë për merkaton dhe blerja e parë mund të konsiderohet ajo e sulmuesit Alen Ndreu, i cili ka pak kohë që stërvitet me kryeqytetasit.

alen ndreu

Nga skuadra deri tani janë larguar portieri Simon Simoni, i transferuar në Gjermani, dhe sulmuesi Artur Rexhinaldo. Blutë, sipas deklaratave të drejtuesve të saj, kanë në plan të bëjnë 4 blerje të rëndësishme gjatë merkatos së janarit, ku përparësi kanë porta dhe sulmi.

KARTONI I NDREUT Gazeta mëson se Dinamo ka arritur një marrëveshje me klubin e Venecias në Itali për të marrë sulmuesin Alen Ndreu. Futbollisti 18-vjeçar është bashkuar me skuadrën e trajnerit Nevil Dede që në fundin e 2022-shit dhe tashmë mund të quhet zyrtarisht pjesë e Dinamos.

Nga burime të gazetës pranë klubit bëhet me dije se kryeqytetasit kanë tashmë 70% të kartonit të Ndreut, kurse 30% e ka mbajtur Venecia. Sipas të njëjtit burim, Venecia ka të drejtën e riblerjes së lojtarit brenda një afati kohor prej një viti e gjysmë.

Ndreu është një lojtar premtues, ai ka lindur në Itali dhe është formuar te Venecia. Kohët e fundit ishte huazuar për të luajtur në Serinë D, por një dëmtim e mbajti larg fushave.

Ai vjen te Dinamo me synimin e qartë për të luajtur me ekipin e parë dhe për t’u transferuar më pas në një klub të madh jashtë Shqipërisë. Blutë shpresojnë ndërkohë që të ndodhë pak a shumë si me portierin Simoni, pasi janë të bindur se bëhet fjalë për një element me vlera.

Ndreu është grumbulluar edhe me Kombëtaren U17 të Shqipërisë.

PORTA DHE SULMI Ndër blerjet që drejtuesit e Dinamos synojnë të finalizojnë gjatë merkatos së janarit, janë një portier dhe një sulmues.

Me ikjen e Simonit për tek Eintraht Frankfurt, skuadra ka nevojë për një portier me kualitet, edhe pse pjesën e mbetur të këtij sezoni mund ta përballojë me Edvan Bakajn.

Klubi kryeqytetas kërkon ta kompletojë këtë sektor që tani për të shmangur çdo të papritur gjatë garës. Dhe për portën po shihen si pista e huaj, ashtu edhe ajo shqiptare. Për emra konkretë nuk mund të flitet ende.

Fillimisht blutë po shihnin në Itali për një portier, por gazeta mëson se së fundi ka fituar kuota edhe një pistë shqiptare, që për momentin mbahet sekret. Pas portës është sulmi reparti që Dinamo kërkon ta përforcojë.

Në janar është e vështirë që të gjesh elementë vërtetë me kualitet, por blutë po shohin të gjitha opsionet. Më interesanti duket se është ai i një lojtari me pasaportë shqiptare që luan në kategoritë inferiore italiane.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"