Dinamo arrin objektivin, shtatë humbje si pasqyrë e një skuadre me probleme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 10:05

Dinamo arrin objektivin, shtatë humbje si pasqyrë e një skuadre me probleme

Sezonin e Dinamos e “shpëton” sportivisht arritja e objektivit të ngjitjes në Superiore, ndërsa arritja tjetër, shumë e madhe për këtë klub, është shitja e portierit Simon Simoni në Gjermani. Me transferimin e lezhjanit tek Eintrahti i Frankfurtit blutë bënë vërtet goditje sa i takon merkatos në dalje. Shpresat janë që të shitet edhe talenti tjetër, Jordi Jaku, po në Gjermani.

dinamo

Në anën tjetër, për atë që Dinamo dha në fushë gjatë këtij sezoni, pikëpyetjet janë të mëdha, edhe pse u arrit objektivi. Kryeqytetasit kanë pasur luhatje të forta në disa momente të sezonit, duke mos e bërë kurrë shkëputjen e pretenduar në fillim, madje edhe duke vënë në diskutim elitën. Numrat flasin qartë dhe nuk ka si të gënjejnë, bilanci i Dinamos nuk është ai i një skuadre me stof Superioreje.

7 HUMBJE – Në 26 javë kampionat Dinamo ka pësuar 7 humbje, një shifër shumë e lartë kjo për një skuadër kryesuese. Kjo skuadër është mundur nga Flamurtari, Apolonia, Tomori, Burreli, Tërbuni, Lushnja dhe Luzi. Skënderbeu rival regjistron më pak se gjysmën, vetëm 3 humbje, ndërsa Flamurtari, që blutë e lanë prapa në fund, ka 6 humbje.

Një tregues i qartë se skuadra ka pasur probleme në pjesën prapa. Këtë aspekt negativ e përforcojnë edhe golat e pësuar, plot 23, edhe kjo një shifër shumë e lartë për një skuadër që ngjitet në elitë.

Skënderbeu ka pësuar vetëm 13 gola, kurse Flamurtari 16 gola. Kuptohet lehtë se blutë “fusin ujë” dhe duhet ta ndërtojnë nga e para pjesën mbrojtëse, sepse me këto statistika do të jenë sërish kandidatë për të rënë nga elita.

Në prapavijë Dinamo ka qenë shumë e brishtë, edhe pse në përbërje ka pasur lojtarë me eksperiencë. Drejtuesit e klubit e dinë mirë këtë problematikë, ndaj dhe merkaton e verës pritet ta nisin me këtë sektor.

Gazeta ka bërë me dije se blutë janë vënë në kërkim të një portieri me eksperiencë në elitën e futbollit shqiptar. Po ashtu, edhe mbrojtja, sidomos qendra e saj, është përparësi në kërkimet dhe sondazhet që blutë po bëjnë aktualisht.

Si në Kategorinë e Parë, ashtu edhe sezonin që ishte në Superiore, Dinamo shfaqi një problematikë të theksuar në mbrojtje. Skuadra pësonte gola shumë shpejt dhe ky ishte një nga shkaqet që blutë ranë në të Parën dhe pastaj hasën vështirësi për rikthimin.

Tani pritet që lëvizjet në merkato të jenë të goditura, për ta eliminuar një herë e mirë këtë defekt.

FATION RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"