Dilema Zaniolo, Milani 10 milionë euro për “shokun” e Skukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 23:54

Dilema Zaniolo, Milani 10 milionë euro për “shokun” e Skukës

Mungojnë ende 180 minuta nga fundi i kampionatit dhe vendet janë akoma për t’u përcaktuar, megjithatë te Milani janë tepër të vëmendshëm në merkato. Sidomos pas zhgënjimeve që ky sektor dhuroi në sezonin që është në përfundim.

pioli maldini

Drejtuesit kanë lëvizur duke siguruar një portier (Sportielo) dhe një mesfushor (Kamada) që në parim duhet të zëvendësojë Benaserin në rolin e fantazistit ‘fals’. Sa i përket një fantazisti të mirëfilltë, përparësi ka Brahim Diazi. Këtij të fundit i skadon kontrata e huazimit dhe më 1 korrik do të kthehet te Reali i Madridit. Për të qëndruar apo për t’u shitur mbetet për t’u parë, megjithatë Milani është i interesuar për kartonin e spanjollit.

Nëse dështon marrëveshja, Nikolo Zaniolo dhe Tomazo Baldanzi. I pari luan te Gallatasaraj që prej janarit dhe ka koleksionuar 10 prezenca me 3 gola e 1 asist. Dëshira për t’u kthyer në Itali mbetet e madhe dhe “djalli” do të ishte një destinacion i preferuar. E njëjta gjë vlen për fantazistin e Empolit, i cili me 4 gola në 27 prezenca i ka mahnitur të gjithë, sepse është vetëm 20 vjeç. Për të dy investimet janë në rendin e 20-25 milion eurove, por nëse me Baldanzin do të ishte një bast, situata me Zaniolon do të ishte disi më ndryshe, pasi ka përvojë më të madhe dhe e ka treguar veten në nivele të larta.

METODISTI – Duke qëndruar në mesfushë, por në territore disi më të tërhequra, pas Kamadës, mund të vijë edhe Artur Vermeren. Me 32 prezenca dhe golin e parë si profesionist, 18-vjeçari luan me Rojalin e Antverpit, që synon titullin në Belgjikë nën drejtimin e Mark van Bomelit, një njohje e vjetër kuqezi. Në gjurmët e djaloshit janë edhe Mançester Junajtidi dhe Barcelona.

Që tani vlen 8.5 milionë euro, por klubi belg vështirë se do ta lëshojë pa të paktën dyfishin e shumës. Për Milanin do të ishte një afrim me perspektivë, pasi djaloshi mund të rritet ende fizikisht, teksa që tani disponon teknikë dhe vizion loje.

zaniolo

“PYKA” – Ndërkohë që vetëm 24 orë më parë përmendeshin investime 30-milionëshe për një “pykë” me profile si Morata, Openda apo Arnautoviç, nga Franca bëjnë të ditur se Milani e ka bërë zgjedhjen për repartin e avancuar.

gettyimages-1248162555-612x612

Zhorzh Mikautadze “shoku” i Skukës mund të bëhet qendërsulmuesi i ri i ekipit të Piolit. Portali francez “Footmercato” zbulon se Maldini ka takuar homologët e tij te Metzi dhe u ka ofruar 10 milionë euro. Gjeorgjiani është 22 vjeç dhe deri më tani ka pasur një sezon me 23 gola të shënuar në 35 ndeshje, që e bëjnë golashënuesin më të mirë të Ligës 2 franceze.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"