Derbi Teuta-Erzeni, histori shkëmbimesh që nisi në komunizëm dhe… vijon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2022 | 22:32

Derbi Teuta-Erzeni, histori shkëmbimesh që nisi në komunizëm dhe… vijon

Derbi i së hënës ndërmjet Teutës dhe Erzenit që mund të konsiderohet ndryshe si derbi i shtegtuar për shkak se do të zhvillohet në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës është një nga ndeshjet që shihet me mjaft interes nga të dyja tifozëritë për faktin se shumë qytetarë nga Shijaku tashmë jetojnë në qytetin e Durrësit dhe kanë një rivalitet miqësor me shoqërinë e tyre. Për herë të parë ky derbi do të zhvillohet jashtë aksit Shijak-Durrës.

Erzeni

Foto nga ndeshja Teuta-Erzeni e vitit 1986 për Kupën e Shqipërisë, ku Erzeni do të mundte Teutën 4-1 me penallti pas barazimit 0-0 dhe komentatori Ismet Bellova do të thoshte: Erzeni nxjerr nga shinat Lokomotivën e Durrësit

Ndër vite këto dy ekipe i kanë marrë dhe dhënë plot futbollistë njëri-tjetrit, pasi për shkak të ndarjeve territoriale dhe çështjeve politike, ekipi i Erzenit nuk mund të luante në Superiore dhe renditej gjithmonë në vend të dytë apo të tretë të së Parës, pasi ishin dy ekipe si Besa e Kavajës dhe Lokomotiva e Durrësit gjithmonë lart në elitë. Sipas asaj që thuhet nga aktorët e atëhershëm të futbollit, kurrsesi nuk lejohej që të ishin tri ekipe në Superiore nga kjo zonë, edhe pse Erzeni kishte potencial për t’u ngjitur.

Kësisoj, Teuta asokohe merrte plot lojtarë nga Erzeni duke nisur me legjendën Niko Bespalla dhe vazhduar me Kristaq Toçin, Ramiz Vezin, Lulzim Kertushën, Shaban Çekën, Josif Ristanin etj. Më vonë lojtarët që do të luanin për të dyja ekipet do të ishin Ardian Dashi, Alvaro Zalla, Xhevahir Kapllani (trajneri aktual i Erzenit), Fatos Kuçi, Justin Bespalla, Genti Gjondedaj, Bledian Rizvani, Sulejman Hoxha etj. Së fundmi mjaft lojtarë të tjerë si Arbër Çyrbja, Alfred Deliallisi (zv/trajneri aktual i Erzenit), Rejnaldo Troplini, Ermir Rezi, Orjan Xhemalaj etj, kanë ndërruar fanellat.

RONALD FAJA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"