Derbet, pika e dobët e Dinamos/ Deficiti në sfidat me Tiranën dhe Partizanin kanë komplikuar sezonin e “Nëndetëses”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 23:49

Derbet, pika e dobët e Dinamos/ Deficiti në sfidat me Tiranën dhe Partizanin kanë komplikuar sezonin e “Nëndetëses”

Me atë të fundjavës që shkoi kundër Partizanit janë mbyllur 8 ndeshjet derbi për Dinamon sa i takon kampionatit të rregullt. Bilanci lë për të dëshiruar dhe tregon se pika e dobët e bluve për këtë sezon janë pikërisht këto ndeshje.

dinamo partizani

Për një skuadër që vjen nga një kategori më poshtë dhe me shumë ndryshime pritej që të kishte vështirësi, sepse derbet kërkojnë cilësi, por edhe personalitet për t’u fituar. Personaliteti sigurisht që nuk krijohet menjëherë për një skuadër të re, por asgjë nuk e justifikon rendimentin tejet zhgënjyes të Dinamos në 8 derbi të luajtur këtë kampionat, 4 kundër Tiranë dhe 4 ndaj Partizanit.

Nga 24 pikë në lojë, 18 herë kampionët e vendit kanë marrë vetëm 5 pikë, gati 1/5-ën e totalit. Mjafton ky tregues për të kuptuar se çfarë ndikimi kanë pasur ndeshjet derbi për sezonin e Dinamos, që gjithsesi mbetet në garë për të shkuar në “Final 4”, kur kanë mbetur edhe 4 ndeshjet e fundit për t’u luajtur.

VETËM 1 FITORE – Në 8 ndeshjet derbi të luajtura këtë sezon, 2 herë Dinamo është drejtuar nga italiani Luixhi Di Biaxho dhe 6 herë nga trajneri Dritan Mehmeti. Blutë kanë marrë vetëm 1 fitore dhe 2 barazime, ndërkohë që kanë pësuar 5 humbje, e fundit të shtunën e kaluar kundër Partizanit.

Suksesi i vetëm sezonal i takon derbit të fazës së tretë me Partizanin, i zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. Dinamo e fitonte atë ndeshje me përmbysje 2-1, me gola të Kaçorrit dhe Vilës në fund. Dy barazimet e “Nëndetëses” janë 1-1 me Tiranën fazën e dytë në “Selman Stërmasi” dhe 0-0 po për fazën e dytë me Partizanin tek “Arena e Demave”.

MAKTHI TIRANA – Fatale për Dinamon kanë qenë sfidat me Tiranën, me vetëm 1 pikë të fituar nga 12 të mundshme. Nëse sheh rezultatet e derbeve me Tiranën, kupton menjëherë që bardheblutë kanë qenë një makth i vërtetë për blutë këtë sezon.

Të tria humbjet janë pësuar me të njëjtin rezultat, 3-2. Në dy raste Dinamo ka qenë në avantazh të dy golave, por në fund ka dalë e mundur dhe kjo është e pafalshme. Edhe pse ka shënuar 6 gola në 4 ndeshje në portën e Tiranës, nuk ka marrë më shumë se një pikë. Një deficit i madh pikësh që është reflektuar në renditje, por edhe një goditje e fortë psikologjike për një skuadër të ndërtuar për të qenë në vendet e para të klasifikimit.

8 derbet

Nëse blutë do të kishin bërë diçka më mirë në derbet me Tiranën, do ta kishin shumë më të lehtë për të shkuar në “Final 4”. Edhe me këto rezultate Dinamo po rivalizon fort me këtë kundërshtar për vendin e fundit që të çon në ndeshjet, ku do të diskutohet titulli kampion i Superiores.

Dinamo dhe Tirana janë në të njëjtën kuotë pikësh, nga 46 secila, por skuadra e Mehmetit qëndron për momentin pas bardhebluve pikërisht nga rezultateve të ndeshjeve direkt.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"