Dëmtimet fusin në hall Martinin, ja si pritet të rreshtohet Teuta në sfidën me Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2023 | 9:00

Dëmtimet fusin në hall Martinin, ja si pritet të rreshtohet Teuta në sfidën me Kastriotin

Mungesa të rëndësishme dhe shumë dilema për formacionin. Teuta vjen në ndeshjen ndaj Kastriotit, që do të luhet sot në orën 16:00 në Durrës, jo në gjendjen më të mirë. Trajneri Edi Martini nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin e majtë, Blerim Kotobelli, i cili është i pezulluar për shkak kartonësh, ndërsa problemi më i madh që ka hasur së fundmi stafi është dëmtimi i kapitenit Emiliano Vila.

teuta marku gol

Mesfushori durrsak është në dyshim për t’u aktivizuar në ndeshjen e sotme për shkak të një problemi që ka pasur në brinjë. Nëse nuk ia del, me shumë mundësi në vendin e tij do të aktivizohet Alban Çejku nga minuta e parë.

Por, në dyshim për të qenë në këtë takim janë edhe mbrojtësi i krahut, Hektor Idrizaj dhe sulmuesi Ildi Gruda, të cilët kanë probleme fizike dhe nuk janë stërvitur rregullisht gjatë ditëve të fundit.

Stafi mjekësor, me në krye Ervin Shembitrakun, po bën maksimumin që lojtarët të jenë të gatshëm për trajnerin Martini. Megjithatë, ky i fundit ka edhe një plan B për formacionin nëse lojtarët që janë në dyshim nuk do të jenë të gatshëm.

Gruda ishte një alternativë serioze për të qenë titullar pas largimit të sulmuesve Rubin Hebaj dhe Djevid Kapllani, por dëmtimi që pësuar së fundmi bën që ta nisë nga stoli nëse do të grumbullohet për ndeshjen ndaj Kastriotit.

Ndërkohë, afrimi i parë i Teutës, Sherif Kallaku, vetëm dje u stërvitet me ekipin, por shanset për të qenë në fushë ndaj Kastriotit mbeten të pakta. Duke qenë se i është bashkuar grupit me vonesë, nëse edhe federimi bëhet në kohë, fantazisti mund të marrë vetëm pak minuta në pjesën e dytë.

SITUATA – Klubi durrsak ka vendosur heshtje shtypi në prag të takimit me Kastriotin. Trajneri Martini dhe lojtarët nuk janë prononcuar dje për mediat.

Atmosfera në skuadër është optimiste, por Teuta mbyll tabelën e klasifikimit dhe në grup janë të ndërgjegjshëm se ndaj Kastriotit vlen vetëm fitorja.

Sot është një ndeshje që ka një rëndësi të veçantë për “djemtë e detit”, prandaj dhe stafi teknik është munduar ta përgatisë deri në detaje.

Martini me shumë mundësi do të hedhë në fushë një skuadër me skemën 3-5-2, ku në sulm pritet të aktivizohen Lorenc Vila dhe Aldrit Oshafi.

Në mbrojtjen me tre gjasat janë që të luajnë Harrallamb Qaqi, Aleksandër Kuro dhe Artan Jazxhi.

teuta

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"