Dëmtime dhe pengesa, si Tirana po sfidon vuajtjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 23:12

Dëmtime dhe pengesa, si Tirana po sfidon vuajtjet

Tirana është shumë pranë titullit të 27-të kampion. Prej fillimit të sezonit ajo ka luftuar me “mish e shpirt” për ta ngritur këtë trofe, por pengesat gjatë rrugës kanë qenë shumë të mëdha. Ulje-ngritjet kanë qenë gjithmonë prezente te bardheblutë, që gjithsesi kanë ditur t’ia dalin mes një mijë vështirësive.

tirana

MERKATOJA – Problemet e para erdhën për Tiranën në janar. Presidenca vendosi që të shesë disa lojtarë të rëndësishëm, duke filluar me Xhixhën, Kallaku, më pas Ismajlgecin, Limajn dhe pothuajse gjithë pankinën, duke filluar me lojtarë që gjithmonë ishin opsione si Zhivanaj, Useini e disa lojtarë të tjerë. Ekipi u duk bosh në fund të janarit. Gjithsesi, Tirana mendoi afrimet e Haxhiut, Lushkjes dhe Abazajt, që mbushin disi skuadrën.

DËMTIMET – Gjithsesi, nuk ishte e thënë që Tirana të ishte e qetë. Deri në fund të marsit Kristal Abazaj u dëmtua dhe nuk ishte në fushën e lojës. Pastaj i erdhi radha Patrikut. Braziliani, i cili ishte shtyllë në sulmin bardheblu, ka mbyllur sezonin dhe kthehet janarin e ardhshëm. Prej derbit të tretë ai nuk është më në fushë dhe u dëmtua.

Nuk mbaroi këtu, Nikqi vendimtar në dy ndeshje krisi këmbën dhe e vuri në allçi. Dhe në fund, kapakun ia vuri Lushkja fatit të keq. Edhe kavajasi u dëmtua në derbin e fundit dhe kthehet në Europë.

NDËSHKIMET – Tirana ia doli edhe në momentin më të vështirë të saj. Para derbit, në sfidën që ndoshta ka vendosur titullin kampion këtë sezon, skuadra u pa e boshatisur. Behiratçe u dënua pesë javë nga disiplina për një veprim në Durrës, ndërsa gjyqtari në sfidën me Teutën automatizoi dy kartonë që hoqën nga derbi golashënuesin e sezonit, Hasanin dhe Hilën. Shto dy të dëmtuarit, bëhen pesë mungesa. Ama Tirana ia doli që të mos humbiste ndeshjen, duke zhvilluar një sfidë të madhe në “Air Albania”.

FUSHA – Dhe nuk ka mbaruar, Tirana pothuajse të gjithë këtë sezon nga janari e ka zhvilluar në transfertë. “Air Albania” u mbylli dyert bardhebluve. Tirana ka luajtur në Elbasan, “Selman Stërmasi” dhe Durrës aq shumë sa nuk llogaritet.

TIRANA

Shkurt, mes gjithë vështirësive, organikës, dëmtimeve, momenteve të vështira, Tirana ka ditur gjithmonë t’ia dalë. Dhe një gjë të tillë do ta bëjë edhe në dy sfidat e fundit me Bylisin dhe Erzenin.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"