Dëmtime dhe kartonë, ka alarm në sulm te Skënderbeu para sfidës me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2023 | 12:30

Dëmtime dhe kartonë, ka alarm në sulm te Skënderbeu para sfidës me Partizanin

Skënderbeu është në emergjencë të plotë në repartin e sulmit para ndeshjes së të hënës përballë Partizanit, që do të luajë në stadiumin “Arena e Demave” në orën 17:00. Në një sfidë kaq delikate, trajneri Ivan Gvozdenoviç, thuajse ka humbur tredhëmbëshin e titullarëve: Nikaj-Rashica-Frenklin.

skenderbeu

Një situatë që ka krijuar jo pak shqetësim në radhët e stafit bardhekuq, sa i përket përgatitjes së ndeshjes ndaj kampionëve në fuqi. Nëse i referohemi mungesave, e sigurt për momentin është ajo e Ardit Nikajt.

Sulmuesi shkodran i Skënderbeut ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe për pasojë do të humbasë ndeshjen ndaj Partizanit. Nga ana tjetër, në dyshim për këtë ndeshje janë edhe dy sulmuesit e tjerë, Ermir Rashica dhe Frenklin Ahanonu.

Kosovari 19-vjeçar vijon të ketë ende shqetësime në gjurin e djathtë, problem ky që e la jashtë edhe në ndeshjen ndaj Erzenit në fundjavën e kaluar në Korçë.

Megjithëse ka tentuar të vijojë stërvitjen normalisht, herë pas here Rashica ndjen shqetësime në ligamentet e gjurit dhe një situatë e tillë, nuk e lejon që të zhvillojë të plotë seancat.

Nga ana tjetër, njeriu i momentit te Skënderbeut me 4 gola të shënuar, Frenklin, ka pësuar një tërheqje në muskujt rrëzë kofshës së majtë. Gjithçka ka ndodhur në momentet e fundit të ndeshjes me Erzenin, ndaj edhe për këtë 26-vjeçari ka punuar i diferencuar gjatë këtyre ditëve.

Nga ana e stafit mjekësor të ekipit po bëhet maksimumi për rikuperimin në kohë të dy sulmuesve, që duket i vështirë deri në sfidën me Partizanin.

ALTERNATIVAT – Në kushtet kur nga vija e sulmit i gatshëm është vetëm Gresild Lika, trajneri i Skënderbeut po mendon edhe për një plan B, duke llogaritur të sigurta mungesat e Rashicës dhe Frenklin.

Duke pritur për të marrë lajme të mira nga dy lojtarët e dëmtuar, Gvozdenoviç gjithsesi ka gati rikthimin në skemën 3-5-2 pa ata në fushë, kjo edhe për faktin se nuk ka në përbërje lojtarë të tjerë të repartit sulmues, që mund të garantojnë cilësinë e kërkuar për t’i besuar fanellën e titullarit.

Reparti i sulmit për momentin mund të mbulohet nga Lika dhe Xhantu. Rikthimi me tre mbrojtës në prapavijë dhe pesë mesfushorë është një skemë që Skënderbeu e ka përdorur më shpesh në fazën e parë.

Nëse nuk do të kemi ndonjë rikuperim të shpejtë të sulmuesve, pritet që korçarët të jenë me një mbrojtje të ngjeshur ndaj Partizanit. Gjithsesi, deri të hënën gjërat mund të ndryshojnë dhe kjo mbetet në varësi të gjendjes që mund të kenë Rashica dhe Frenklin.

8798

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"