Deliallisi: Pres kthesën me Laçin, stadiumi pa tifozë na… penalizon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 9:50

Deliallisi: Pres kthesën me Laçin, stadiumi pa tifozë na… penalizon

Erzeni do të luajë sot në orën 17:00 sërish në stadiumin e Partizanit, “Arena e Demave”, por këtë herë kundër Laçit si pritës. Duke qenë se shtëpia e shijakasve për këtë sezon, stadiumi “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, nuk është ende gati pas ndërhyrjes që po bëhet në fushë, klubi ka zgjedhur sërish stadiumin e të kuqve për të luajtur si vendës.

deliallisi

Humbja e fundit ndaj Partizanit ka lënë pasoja tek Erzeni, pasi sot do të mungojnë dy titullarë për shkak kartonësh, pikërisht Amir Kahrimanoviç, që u ndëshkua me të kuq dhe fantazisti Agim Zeka, i cili plotësoi numrin katër të të verdhëve.

Mirëpo, duke shtuar këtu edhe mungesën për shkak dëmtimit të mbrojtësit të krahut, Anteo Osmanllari, e bën të vështirë ndërtimin e formacionit nga trajneri Alfred Deliallisi.

Erzeni sot do të vuajë edhe mungesën e tifozëve pas vendimit nga Komisioni i Disiplinës dhe për këtë vetë Deliallisi, në prononcimin për “Panorama Sport”, theksoi se e penalizon shumë ekipin.

TRAJNERI

“Luajmë kundër një kundërshtari që ka shumë forcë dhe kualitet si ekip. Kanë një strukturë të mirëndërtuar ndër vite, duke bërë mirë në kampionatin shqiptar. E vlerësojmë në maksimum dhe duhet të tentojmë të bëjmë më të mirën tonë. Vijimi i luajtjes së ndeshjeve në stadiumin e Partizanit, sigurisht që nuk është në më të mirën e mundshme për ne, por që duke lënë pas humbjen e javës së fundit, sot mendoj se do të jetë tjetër histori.

Do të na mungojnë Kahrimanoviç dhe Zeka për kartonë, ndërsa Osmanllari nuk është në gjendjen fizike optimale dhe uroj që shumë shpejt të jetë në 100% të tij. Por, pavarësisht këtyre mungesave që kemi, unë kam besim tek ekipi. E kam thënë edhe më parë që grupi është më i rëndësishmi.

Bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe organizimi me njëri-tjetrin na çon te suksesi. Vetëm kështu mund ta tregojmë veten. Kam bindje të plotë se ata që do të luajnë, do të japin më të mirën e tyre, duke qenë të përqendruar dhe të përgjegjshëm në fushë”, ka thënë fillimisht trajneri i Erzenit për gazetën. Deliallisi foli edhe për mungesën e tifozëve.

“Për sa u përket masave të marra ndaj tifozëve, ajo që mund të them është se ata janë krahu ynë i djathtë, pasi kudo ku kemi luajtur, i kemi pasur me vete. Ndaj, mungesa e mbështetjes së tyre, do të ndihet shumë në këtë ndeshje.

Shpresoj shumë t’i kënaqim me një rezultat pozitiv ndaj Laçit”, deklaroi kreu i pankinës shijakase, i cili drejton Erzenin që prej sezonit të kaluar, ku fillimisht ishte ndihmës i Xhevahir Kapllanit.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"