Dede: Keqardhje që luhet pa tifozë, por e mundim Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 13:00

Dede: Keqardhje që luhet pa tifozë, por e mundim Vorën

Elbasani i ka gabimet e ndaluara. Nëse dëshiron që të ecë me hapin e Bylisit dhe të mos u japë rivalëve që ka pas vetes shansin që t’i afrohen, duhet të fitojnë edhe në transferta.  Pikërisht sot i pret Vora dhe verdheblutë llogaritë i bëjnë me maksimumin e mundshëm. Me këtë sfidë, mbyllet edhe cikli i katër fitoreve që kishte vendosur klubi si ultimatum.

Dede

“POKER” FITORESH Nevil Dede i gëzohet formës së mirë që po kalon skuadra pas tri fitoresh radhazi, si edhe faktit që lojtarët po rikthehen nga dëmtimet. Për “Panorama Sport”, trajneri pohon se skuadra pretendon që të vazhdojë me këtë ritëm që ka nisur. “Besoj se jem se jemi në një gjendje optimale, më mirë sesa javët e mëparshme, duke qenë se po rikthehen dhe lojtarët dhe grupi po plotësohet. Ne mundohemi që gjithnjë të jemi në harmoni si grup dhe korrekt nga gjendja psikologjike. I mendojmë gjërat pozitivisht, besoj se e kemi bërë shumë mirë deri tani, ndonëse duhet të bënim edhe më mirë. Por, gjithsesi pretendojmë të vazhdojmë me këtë ritëm”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanit.

SIKLETI NË TRANSFERTA Pikët e vetme që ka lënë Elbasani këtë sezon janë pikërisht transfertat. Por, tekniku ka besim se skuadra do të interpretojë futbollin që kërkohet me Vorën dhe në fund do të marrë më të mirën e mundshme. “Ne jemi munduar edhe aty ku kemi gabuar që të tregojmë se çfarë skuadre kemi. Nuk kemi thënë kurrë mungesat që kemi pasur dhe do të mundohemi të shkojmë të bëjmë futbollin tonë. E kam thënë edhe më herët që tani ka filluar faza e dytë dhe skuadrat njihen mirë me njëra – tjetrën. Mbi të gjitha, me Vorën shkojmë të luajmë dhe ndihemi mirë, me synimin për të interpretuar gjithashtu mirë”, vijoi më tej Nevil Dede, që ka besim tek ajo që do të tregojë skuadra në fushën e lojës. MUNGESA E TIFOZËVE Kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve dhe për Deden nuk mungon keqardhja. Për më tepër që Elbasani edhe në transferta ka pasur një mbështetje jo të vogël. “Keqardhje që nuk ka tifozë, si për ne edhe për ata. Do të ishte shumë e rëndësishme që të dyja tifozëritë të ishin në stadium, sepse ne luajmë për njerëzit”, vijoi më tej Dede. RIKUPERIMI I GABIMEVE Në lidhje me faktin që në ndeshjen e parë në Elbasan verdheblutë fituan me përmbysje, Dede thekson se skuadra përpiqet vazhdimisht të mësojë dhe rikuperojë nga gabimet. “Ishte mungesë përqendrimi dhe u ndëshkuam në fillim të ndeshjes, pavarësisht se interpretuam mirë dhe u munduam ta fitonim ndeshjen deri në fund dhe ia arritëm. Gjithnjë punohet në çdo stërvitje që të përmirësojë elementët e mirë që ka dhe të minimizojë gabimet”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën, Nevil Dede.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"