Dede: I kënaqur tek Elbasani, për elitën mendojmë pas festës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2024 | 12:35

Dede: I kënaqur tek Elbasani, për elitën mendojmë pas festës

Elbasani është 90 minuta larg sigurimit matematikor të ngjitjes në elitë sezonin e ardhshëm, pikërisht në fushën ku edhe koleksionuan humbjen e parë të këtij sezoni, në Peshkopi. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri Nevil Dede, pranon se kur je afër arritjes së objektivave ka gjithnjë padurim, por Elbasani ka për detyrë të respektojë veten dhe çdo kundërshtar. Ai pranon problemet e fillimit, por ishte i bindur se kjo ditë do të vinte. Dede jep sërish sinjalet e rinovimit për të qenë “timonier” edhe në Superiore.

dede

Dede, si vjen Elbasani para ndeshjes me Korabin?

Mendoj që gjendja e lojtarëve është optimale. Kemi një problematikë të vogël me Telushin, ka një dëmtim që në ndeshjen e kaluar dhe besoj se shumë shpejt ai do bashkohet me grupin. Përveç faktit që ai është edhe me kartonë. Ndërsa pjesa tjetër e grupit nuk kanë probleme. Ne e vlerësojmë Korabin maksimalisht, ka një ekip shumë simpatik që luan drejt futboll. Është një nga skuadrat e Kategorisë së Parë më konstante në vitet e fundit.

Javë që mund të vulosë matematikisht ngjitjen. Keni ndonjë emocion?

Nga njerëzit që investojnë apo punojnë, por edhe nga vetë komuniteti dhe tifozët. Kemi edhe gjashtë javë dhe këto janë shumë. Ne duhet të jemi korrektë dhe seriozë, të respektojmë mbi të gjitha ndeshjet, duke respektuar veten me punën tonë. Respektojmë investimin e klubit, respektin dhe mbështetjen e tifozëve, pastaj edhe kundërshtarin. Prandaj, duam ta çojmë garën deri në fund me të njëjtin përqendrim dhe interpretim që i kemi bërë gjatë gjithë vitit.

E mendonit që gjashtë javë para mbylljes së kampionatit do ishit në situatën ku mund të siguronit ngjitjen?

Të jem i sinqertë, në fillim kur është formuar ky grup dhe sidomos kur filloi gara në muajt shtator-tetor, nuk është se çdo gjë shkonte perfekt. Gjithmonë kam qenë i bindur në përfundimin se ku do të shkonte kjo skuadër dhe çdo lojtari ia kam kujtuar shpesh, gati javë pas jave. Edhe kur nuk bënim lojëra të mira, por merrnim pikët, u thoja: “Djem unë e di se ku do të shkojmë në fund. E rëndësishme është që të gjithë të kemi besimin dhe motivin e duhur”. Normal, që me këta lojtarë dhe investimin që është bërë në klub, do ishim këtu ku jemi dhe ndoshta duhet të ishim akoma edhe më mirë. Por, e mira nuk ka fund, ashtu si edhe e keqja. Rëndësi ka që ne e justifikojmë investimin e klubit dhe mbështetjen e tifozëve.

Jepen sinjale rinovimi të kontratës edhe nga ana e klubit, si po shkojnë gjërat në këtë aspekt?

Unë jam i kënaqur. E kam thënë që në fillim se unë kam ardhur në shtëpi, por në sport duhet të kesh rezultate mbi të gjitha. Besoj se marrëdhëniet e tjera i kemi super korrekte, njerëzit që drejtojnë klubin të mbështesin në çdo moment dhe përcjellin dashamirësi, si edhe vetë qyteti. Jam i kënaqur dhe i lumtur që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë. Normal që gjithmonë ka detaje, por ato janë gjëra të vogla. Më e rëndësishmja është se ne mendojmë dhe duam të vazhdojmë të punojnë me të njëjtin mendim. Duam të flasim njësoj.

Ka nisur të mendojë klubi për lojtarët që mund të afrojë në Superiore?

Unë mendoj që është pak shpejt. Ndoshta nuk është korrekte që të thuash është shpejt, sepse të gjithë nxitojnë, nëse ata pretendojnë se kanë gjetur profilin apo pozicionin e duhur. Është pak shpejt, sepse janë gjashtë javë, gati gjysma e një faze. E rëndësishme është që lojtarët aktualë që kemi të jenë të shëndetshëm dhe në fund ta mbyllim dhe festojmë të gjithë bashkë. Çdokush kërkon të përmirësohet, edhe ekipi më i mirë në botë me investime më të mëdha. Të gjithë futen në merkato për të përmirësuar pozicionet e tyre.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"