Debutimi në të Tretën, trajneri Mandrit Dule: Prisni një Prestige me stil italian, jemi gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2023 | 10:51

Debutimi në të Tretën, trajneri Mandrit Dule: Prisni një Prestige me stil italian, jemi gati

Nga futbolli me pesë, në atë me gjashtë, por edhe në atë me 9 lojtarë dominoi për vite me radhë, por tashmë koha për të hedhur hapin e madh, më saktë hapin e parë drejt elitës së futbollit profesionist, Prestige do ta bëjë sot pasdite, në orën 17:00, në “Skënder Halili”. Prestige do të bëjë debutimin e tij në Kategorinë e Tretë, nisja drejt atij udhëtimi që duhet dhe shpresohet të dërgojë sa më shpejt këtë ekip në Superiore. Ndonëse siç thotë me këmbë të ngulura fort në tokë edhe trajneri i tyre, Mandrit Dule, objektivi i parë është vetëm ndeshja e radhës, e para, ajo përballë Eagles, një duel që shpresohet ta bëjë sa më të bukur debutimin e tashmë ishdominuesve të minifutbollit.Madrit Dule

Mandrit, ndeshja e parë, debutimi në Kategorinë e Tretë për një skuadër të formuar për një tjetër format, por që tashmë ka vendosur të bëjë gjëra të mëdha. Sa të emocionuar jeni?

Patjetër që është një emocion i madh, për të gjithë ne, sepse është ndeshja e parë e Prestige në Kategorinë e Tretë dhe si klub, kemi shumë kohë që e kemi kërkuar këtë mundësi. Është një sezon që nis me shumë vështirësi, pasi mesa kemi parë dhe studiuar rivalët, do të na presin vërtet sfida të forta. Gjithsesi, ne jemi përpjekur që të ndërtojmë një skuadër sa më dinjitoze, për të bërë një debutim dhe një sezon, siç i ka hije emrit të skuadrës dhe klubit të Prestige. Kjo është një skuadër, për të cilën zoti Fatmir Hysenbelliu ka investuar shumë, aq shumë sa ne do të përpiqemi që t’ia shpërblejmë.

A ndiheni gati për këtë sfidë të re dhe të madhe?

Patjetër që po, pasi kemi një grup lojtarësh shumë, por shumë të mirë dhe tani presim vetëm që gjithçka kanë në cilësitë e tyre, tashmë ta shprehin aty ku dinë ta bëjnë më mirë, në fushën e lojës. Edhe stërvitjet me të kompletuar grupin kanë qenë tepër intensive, me një program të veçantë, siç e kërkon kjo kategori. Prandaj, impenjimi i përgatitësve në aspektin atletik, ashtu sikurse ai i imi në aspektin taktik ka qenë maksimal.

Lojtarë cilësorë, do të thotë që keni afruar edhe nga vende të huaja?

Prestige është një miksim mes lojtarëve të huaj dhe shqiptarë. Kemi afruar dy futbollistë nga Brazili dhe dy të tjerë nga Libia. Dhe besoj se këta do të jenë një forcë e shtuar për ne, pasi janë me mjaft eksperiencë dhe kjo do t’i shërbejë dhe do të ndërthuret me cilësitë e lojtarëve ekzistentë që ne kemi. Ndaj të gjitha këto më bëjnë shumë optimist për paraqitjen që do të bëjmë nga debutimi ynë e në vazhdim.

Si punoi Prestige në përzgjedhjen e lojtarëve?

Të gjithë iu nënshtruan një seleksionimi rigoroz 3 javor, gjatë të cilit bëmë të gjitha vlerësimet, nga ana fizike e deri te ajo teknike. Donim lojtarë që të përfshiheshin sa më shpejt në grupin ekzistent, në të gjitha aspektet.

Çfarë objektivash ka Prestige, duke qenë se të kalosh nga futbolli me 5-6 lojtarë, nga “Sunday League”, në atë profesionist nuk është një hap i vogël?

Objektivi im si trajner është vetëm ndeshja e parë. Mbase do dukem pak i cunguar, por ky është realisht objektivi im i parë. Ta nisësh mbarë, me një sukses të parën, është gjysma e punës, duke qenë se futbolli është thjesht i paparashikueshëm. Gjithsesi unë dua pikët e plota ndaj Eagles.

Sa do të ndihmojë eksperienca e “Sunday Leagues” për këtë hap të madh dhe rëndësishëm të radhës së Prestige?

Kjo, pasi përveç se në Shqipëri, kjo skuadër tha fjalën e saj edhe në turnetë ndërkombëtare… “Sunday League” ka bërë pjesën e saj, që ne të formohemi edhe si grup, por edhe unë si trajner. E them këtë pasi ka qenë një eksperiencë e gjatë, e rëndësishme, sepse të fitosh të ndihmon të fitosh, aq më shumë kur shpallesh kampion në disa disiplina, por pa harruar edhe suksesin në Superkupë. Gjithsesi, kategoria e tretë kërkon një marsh më tepër, por ne besojmë se e kemi edhe atë.

Kush do të jetë boshti i Prestige në këtë aventurë të re, lojtarët që do të formojnë shtyllën kurrizore të skuadrës?

Pikat e forta, më saktë pika referimi do të jenë mbrojtësi Hysko, mesfushori Branica dhe sulmuesi Gjipi. Por do të shihni edhe brazilianin Da Silva… Nga ky lojtar jo vetëm unë, por të gjithë presim shumë.

Çfarë stili loje do të ketë Prestige, paksa italian apo “alla spanjoll”?

Unë preferoj modelin italian, pasi mendoj se të mos pësosh është aspekti kryesor, pasi një gol në çdo ndeshje mund ta gjesh.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"