Çoçlli “shkund” Besëlidhjen: Vetëm fitorja ndaj Apolonisë na shpëton!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 10:58

Çoçlli “shkund” Besëlidhjen: Vetëm fitorja ndaj Apolonisë na shpëton!

Besëlidhja nuk e ka më luksin të gabojë dhe sidomos në shtëpi. Çdo hap fals do ta rëndonte edhe më shumë situatën, sidomos kur dihet që janë të parafundit në renditje. Kthesa bëhet domosdoshmëri dhe këtë e ka të qartë edhe vet Nikolin Çoçlli. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri mundohet që t’u japë zemër lojtarëve para rinisjes së garës, por edhe t’i “shkundë”. Fitoren e quan detyrim përballë Apolonisë, ndaj pret që grupi t’i shkarkojë që të gjitha energjitë në fushë për të realizuar misionin. Ai ka një “bonus”, e njeh mirë kundërshtarin. Para se të vinte në Lezhë, mbante një rol drejtuesi në Fier dhe kjo dashur pa dashur e ndihmon.

NIKOLIN COCLLI

“Pasi mbyllëm ciklin trejavor të minifazës, nga e hëna jemi përqendruar vetëm e vetëm tek Apo lonia. Kampionatin e rinisim me këtë kundërshtar dhe mendoj se jemi gati. Stërvitjen e kam përqendruar kryesisht në aftësimin tekniko-taktik, pa lënë pas anën fizike.

Skuadra ka reaguar më së miri edhe në miqësoret që zhvilluam, e megjithatë tani ka ardhur koha që të tregojmë veten në ndeshjet zyrtare. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, pasi synimi ynë dihet. Përveç fitores, asnjë rezultat tjetër nuk na vlen.

Këtë na e dikton vendi i parafundit që mbajmë, pozicion që na zbret në Kategorinë e Dytë. Në përgjithësi ekipi është mirë, ndonëse disa futbollistë i janë bashkuar vonë në stërvitje për shkaqe dëmtimesh apo virozash.

Gjithsesi, duke parë formën e skuadrës këto ditët e fundit, shpresoj shumë se ndaj Apolonisë do të kemi sukses të plotë”, përfundoi korçari i stolit.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"