Çoçlli nuk fshihet, trajneri bën llogari për t’iu larguar fundit: Tentojmë tri pikët në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2022 | 9:26

Çoçlli nuk fshihet, trajneri bën llogari për t’iu larguar fundit: Tentojmë tri pikët në Vlorë

Besëlidhja kërkon që t’i largohet zonës së kuqe. Prej javësh kanë krizë rezultatesh dhe vetëm një fitore do të jepte frymëmarrje në mbyllje të këtij viti. Kalendari nuk është fort “i mëshirshëm” për lezhjanët, pasi sot do t’u duhet të sfidojnë Flamurtarin në transfertë. Me kundërshtarin që kërkon kthesën dhe mbi të gjitha luan në shtëpi, misioni bëhet edhe më i vështirë. E megjithatë, Nikolin Çoçlli beson se do t’ia dalin.

NIKOLIN COCLLI

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri tregon se skuadra është gati për ta kaluar me sukses këtë 90- minutësh.

“Pas një jave intensive stërvitore, sot (dje) zhvilluam seancën e fundit dhe jemi gati për transfertën kundër Flamurtarit. Ekipi ka shfaqur qëndrueshmëri dhe kjo më jep shpresë dhe optimizëm. Pothuajse të gjithë futbollistët i kam në dispozicion dhe në formë të shkëlqyer, çka na jep garanci për pretendimet tona. Dhe nuk dua ta fsheh, do të tentojmë fitoren në stadiumin e Vlorës. Jemi në një gjendje shumë të vështirë në klasifikim, ndodhemi në zonën e kuqe. Por nëse pozicionin e analizojmë nga sasia e pikëve dhe e diferencës me ekipet para nesh, llogaritë do të dilnin ndryshe. Një sukses i mundshëm ndaj kuqezinjve nesër (sot), na shpërngul nga ujërat e rrezikshme ku po notojmë prej javësh”, tha fillimisht numri një i pankinës lezhjane.

Edhe pse ende nuk kanë luajtur ndeshjen e fundit të vitit, duhet thënë që trajneri e ka mendjen te merkatoja.

Dashur pa dashur edhe ai e sheh “shpëtimin” te ndërhyrjet që do të bëhen. Paralajmëron se skuadra do të rifreskohet, pasi që tani i ka piketuar disa lojtarë që do t’i bëjnë punë.

“Sa i takon merkatos së janarit, ne kemi filluar direkt që të punojmë fort. Hapi i parë është hedhur, evidentimin e pikave ku duhet të ndërhyjmë. Klubi është i gatshëm që të na mbështesë në rifreskimin e ekipit. Ne i kemi piketuar edhe disa futbollistë dhe po punojmë për të tjerë. Unë kam menduar për të ndërtuar dy ekipe, që të ketë konkurrencë reale për një vend titullari. Kemi pak më shumë se gjysmën e sezonit në dispozicion, ndaj na duhet ndërtimi i një ekipi që t’i përshtatet kohës dhe terrenit”, përfundoi korçari i stolit të Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"