Çoçlli: Kam 4 mungesa, në janar përmirësojmë organikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 21:29

Çoçlli: Kam 4 mungesa, në janar përmirësojmë organikën

Besëlidhja po stërvitet intensivisht nën drejtimin e Nikolin Çoçllit. Duke shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit, trajneri ka përpiluar një program minifaze.

NIKOLIN COCLLI

Plani është i qartë: riparimi i skuadrës dhe karikimi për 270 minutat e mbetura të fazës së parë. Janë planifikuar edhe tri miqësore derisa të nisë gara, por stafin teknik po e shqetësojnë dëmtimet.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës lezhjane thotë: “Që pas ndalesës së Kategorisë së Parë, kam nisur stërvitjen intensive. Po aplikoj një program minifaze. Po punojmë duke e alternuar stërvitjen tekniko-taktike me atë fizike. Pozitiv është fakti që ekipi fizikisht është mirë, ndaj kam më shumë kohë në dispozicion për ngarkesat. Kemi planifikuar katër miqësore, një prej të cilave tashmë e kemi zhvilluar dhe fituar minimalisht me Vllazninë U-21. Tani kemi edhe tri të tjera, që do t’i zhvillojmë në transfertë. Në testin që zhvilluam në Shkodër, ekipi u paraqit mirë. Por, ka vend shumë për përmirësime… Jam i shqetësuar edhe për faktin se dy titullarë i kam të dëmtuar. Mbrojtësi Redinel Gjikolaj dhe mesfushorin Samet Hepaj po përgatiten individualisht dhe me ushtrime të lehta.

Mbrojtësi tjetër Kleiten Metaliaj është sëmurë, ka një infeksion viral dhe nuk mund të stërvitet. Kjo ndikon drejtpërdrejt negativisht në ndeshjen e radhës, pasi ata nuk mund t’i marrin ngarkesat e duhura gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, edhe një mbrojtës tjetër më mungon. Gloris Veseli ka marrë karton të kuq ndaj Luzit. Me Apoloninë kam frikë se do ta kem ekipin të përgjysmuar. Gjithsesi, kam besim se fazën e parë do ta mbyllim jashtë zonës së rrezikshme. Për të dytën do të punojmë edhe për ripërtëritjen e ekipit në kuadër të merkatos së janarit”.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"