“Çmenduri nëse do të na barazonin”, Mesi tregon momentet e ankthit ndaj Australisë dhe rivalët: Më çuditi Gjermania për tre arsye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 22:45

“Çmenduri nëse do të na barazonin”, Mesi tregon momentet e ankthit ndaj Australisë dhe rivalët: Më çuditi Gjermania për tre arsye

Argjentina u kualifikua në çerekfinalet e Botërorit duke mundur 2-1 Australinë, në një sfidë ku vuajti më shumë se sa mendohej e në fund rrezikoi edhe të pësonte barazimin. “Një çmenduri”, kështu e komentoi vetë Lionel Mesi, nëse ai top do të kishte përfunduar në rrjetë, me Emiliano Martinez i cili bëri një ndërhyrje vendimtare në minutën e 98.

mesi

Në një intervistë për “Ole”, ai ka treguar se si e ka përjetuar atë moment, çfarë pret nga sfida me Holandën dhe cilët janë rivalët e mëdhenj të këtij Botërori. “Me Holandën do të jetë një ndeshje shumë e fortë, siç do të jetë i gjithë Botërori. Është një kombëtare e madhe, me lojtarë të mëdhenj dhe me një trajner të madh. Do të jetë shumë e vështirë”, tha fillimisht ai.

“Si e përjetova fundin e sfidës me Australinë? Me vuajtje. E mbyllëm duke vuajtur edhe pse kontrollonim sfidën me shifrat 2-0. Por ata nga hiçgjë na shënuan gol. Më pas nisën të hidhnin topa në zonë, kanë lojtarë të gjatë… Ky është Botërori dhe ka momente kur duhet të vuash, duhet t’i kalosh. E vërteta është që jam i lumtur, do të kishte qenë një çmenduri nëse do të na kishin barazuar në atë moment pas asaj loje që bëmë.

Kemi ndjekur të gjithë Botërorin, kemi parë ndeshjet që mundeshim. Siç e kemi thënë në fillim, Brazili po luan mirë, përtej humbjes që pësoi me Kamerunin, mbetet një nga favoritet e mëdhenj. Gjithashtu Franca. Edhe Spanja, pavarësisht mënyrës se si u kualifikua, luan shumë mirë, e ka të qartë atë që bën kur ka në kontroll topin, kanë zotërimin e tij në pjesën më të madhe të ndeshjes.

Gjermania? Më çuditi, pasi kishte shumë lojtarë të rëndësishëm, se kishte një trajner të ri dhe se Gjermania është gjithmonë mes më të mirëve. Të çudit që përsëri në një Botëror nuk kalon fazën në grupe. Por ky është Botërori, tregon se sa i vështirë është, se sa gjërat janë të barabarta dhe se nuk ka rëndësi emri i kombëtares. Kjo është ajo që shihet brenda në fushë dhe gjithmonë e më shumë është gjithçka e ekuilibruar”, tha Mesi në fjalët e tij.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"