ÇIKLIZËM/ Turi i Shqipërisë, nis numërimi mbrapsht për startin e eventit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 11:38

ÇIKLIZËM/ Turi i Shqipërisë, nis numërimi mbrapsht për startin e eventit

Do të jetë 22 maji dita kur Turi i Shqipërisë do të startojë për herë të 80-të xhiron 5-ditore edhe për këtë vit. Federata Shqiptare e Çiklizmit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Bashkinë Tiranë, Bashkinë Elbasan, Bashkinë Vlorë, Bashkinë Përmet dhe Bashkinë Fier, organizon evenimentin çiklistik ndërkombëtar më të madh në Shqipëri “The 80 Tour of Albania”.

CIKLIZEM

Në këtë eveniment sportiv marrin pjesë gjithsej 14 ekipe, përkatësisht ekipi kombëtar i Kosovës, Azerbajxhanit, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë, Turqisë dhe Serbisë, si edhe ekipet e klubeve sportive çiklistike nga Anglia, Greqia, Bukureshti, gjithashtu edhe ekipet e Tiranës dhe Vllaznisë. Çiklistët e përzgjedhur për të përfaqësuar kombëtaren shqiptare në këtë eveniment për këtë vit janë Ylber Sefa, Olsian Veliaj, Mikel Demiri, Lukas Sula Kloppenborg, Mateo Balaj, Angelo Sulaj dhe Mikel Barçi nën drejtimin e trajnerit Mejdin Malhani, me shpresën se fitorja e vitit të kaluar nga Sefa do të përsëritet sërish edhe në këtë vit. Turi i Shqipërisë, siç dihet, është pjesë e kalendarit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI) për herë të pestë, dhe pikët e fituara gjatë këtij kompeticioni janë të vlefshme për kualifikimin në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Për këtë arsye konkurrenca pritet të jetë e fortë pasi kualifikimi për në Lojërat Olimpike është objektivi kryesor për të gjitha ekipet kombëtare, të cilat do të garojnë në këtë kompeticion të rëndësishëm sportiv. Turi i Shqipërisë këtë vit do të përshkojë gjithsej 755 km duke startuar në Tiranë dhe përfunduar në Fier. Përveç MAS, KOKSH, dhe Bashkive të Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Përmetit dhe Fierit, realizimi i këtij evenimenti u bë dhe falë ndihmës së mbështetësve besnikë të çiklizmit “Kastrati Group”, “AlbSig” dhe “Skoda”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"