Bylisi në hapat e fundit, Abazaj: Objektivin e realizuam, të lemë gjurmë edhe në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 12:50

Bylisi në hapat e fundit, Abazaj: Objektivin e realizuam, të lemë gjurmë edhe në Superiore

Bylisi është fokusuar te sfida me Flamurtarin, të cilën e luan në Ballsh të hënën e ardhshme. Titullarët janë të bindur dhe besojnë tek autokritika në sfidën e radhës. Stafi dhe drejtuesit prej javësh kanë nisur punën për skuadrën që do të luajë në Superiore.

abazaj bylis

Ndërkohë, janë duke u dhënë hapësira lojtarëve të rinj dhe atyre që kanë kontrata afatgjata dhe që mendohet të jenë boshti në sezonin e ardhshëm. Marin Abazaj ka bërë një paraqitje të mirë në Ballsh dhe në një prononcim për “Panorama Sport”, flet për rikthimin në elitë, sezonin e ardhshëm, si dhe të ardhmen me Bylisin. “Ne mes vështirësive dhe një gare me shumë konkurrencë me ekipe të investuara si Elbasani, Flamurtari, Lushnja e Vora u munduam të bëjmë më të mirën. Javë pas jave, si pasojë e punës së bërë nga presidenca që u kujdes për ndërtimin e një skuadre solide, trajneri Bellai dhe stafi, si dhe grupi i lojtarëve realizuan objektivin kryesor.

Ia dolëm, sepse arritëm të marrim pikët maksimale, kryesisht në dy fazat e para, duke bërë të mundur rikthimin në Superiore. Sigurisht që është një sukses i madh, duke parë rivalitetin këtë sezon. Klubi që tani ka nisur të bëjë planet për sezonin e ardhshëm. Po aktivizon shumë nga lojtarët e perspektivës  që janë pjesë e akademisë, lojtarë të moshës 17-18 vjeç, si Përndreca, Akibu, Dialo, Mamadu, Buraneli etj.

Unë kam besim se Bylisi i Superiores do të jetë ekip që do të luajë futboll të bukur dhe lërë gjurmë, por pse jo edhe duke promovuar talente për futbollin shqiptar. Por të hedhësh një sy në ekipet e Superiores gjen nga 2, 3 apo dhe 4 lojtarë që në Ballsh kanë ardhur në moshë të vogël dhe më pas janë bërë pjesë e klubeve më të mira, por që kanë luajtur edhe me ekipet kombëtare”, tha mbrojtësi Marin Abazaj, që këtë sezon ka spikatur edhe si shënues.

Edhe në sfidën e radhës me Flamurtarin, trajneri Arian Bellai pritet që t’u japë hapësira lojtarëve të rinj dhe me shumë mundësi do të aktivizohen edhe të tjerë që janë pjesë e U-21, që siguroi titullin kampion.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"