Bylisi mbledh forcat për 10 finalet, sytë te dy afrimet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 16:24

Bylisi mbledh forcat për 10 finalet, sytë te dy afrimet e fundit

Bylisi tashmë është i përqendruar totalisht te sfida e radhës, ajo me Vllazninë, që luhet pas afro dy javësh. Pasi janë lënë pushim për dy ditë, stafi dhe skuadra tashmë kanë nisur të përgatiten për sfidat e radhës në kampionat. Në fakt, Bylisit kjo periudhë i shërben edhe si një reflektim, duke pasur parasysh faktin se ballshiotët do të kenë një fazë intensive, me synimin për të arritur diçka në transfertën shkodrane.

330419864_1630052457468860_5534288574649518259_n

Ndërkohë, që dje krerët e klubit kanë ndjekur edhe sfidën e skuadrës U-21, ku ballshiotët kanë mundur 8-1 Apoloninë dhe kryesojnë garën. Ballshiotët këtë sezon kryesojnë bindshëm në garat respektive si me U-21 ashtu edhe me U-19. Ajo që bie në sy është se Bylisi me Naxhi Shensoin ka marrë në 9 ndeshje 11 pikë, më shumë pikë i kanë grumbulluar në sfidat e shtëpisë. Ndërkohë që me Arian Bellain, Bylisi në 17 sfida të zhvilluara grumbulloi 17 pikë.

Një tjetër fakt që vihet në dukje është se në këto sfida të luajtura deri me tani, Shensoi e ka kristalizuar përbërjen, por edhe lojën, dhe i vetmi repart që çedon është sulmi. Mallakastriotët janë një nga ekipet që kanë një përbërje të pasur, krahasuar me ekipe rivale në betejën e mbijetesës. Te Bylisi i Naxhi Shensoit nuk mungojnë numrat, por ka në përbërje edhe elementë cilësorë.

Krahas Abu Danladit, që debutoi ndaj Tiranës, në Ballsh presin prej javësh që të shohin në fushë edhe ganezin tjetër Bris Tutu. Kemi të bëjmë me dy lojtarë me eksperiencë, që luajnë në ofensivë. Afrimet e merkatos së janarit janë përshtatur mjaft mirë me pjesën tjetër të kontingjentit dhe duket se kjo shërben edhe për ndeshjet e radhës, që pritet të jenë një garanci për skuadrën e Bylisit.

Kjo periudhë pauze shërben për rikuperimin e ndonjë elementi, si dhe për harmonizimin e mëtejshëm të skuadrës, kur dihet se pas ndërprerjes do të jenë 10 finale për mallakastriotët. Në sfidat e mbetura, ajo që bie në sy është se ballshiotët do të luajnë 4 sfida në shtëpi dhe 6 në transfertë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"