Bylisi kalon edhe Tomorin, flasin dy trajnerët/ Bellai: Nuk ishte fitore e lehtë. Ziu: I kuqi prishi ekuilibrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2023 | 15:21

Bylisi kalon edhe Tomorin, flasin dy trajnerët/ Bellai: Nuk ishte fitore e lehtë. Ziu: I kuqi prishi ekuilibrat

Tomori provon, por nuk e ndal dot Bylisin. Skuadra e Arian Bellait “çimenton” kreun, duke siguruar fitoren numër “11” për këtë sezon. Për beratasit nuk ka ku të shkojë më keq, pasi mbyllin ndeshjen e dhjetë radhazi pa fitore (me 8 humbje dhe 2 barazime) dhe thelluar rrezikun për rënien. Nuk është se ballshiotët dolën edhe aq lehtë.

TOMORI BYLIS

Edhe pse Hyseni doli me të kuq pas 22 minutash lojë, mallkastriotët zhbllokuan shifrat vetëm në pjesën e dytë. Ai gol i Kasajt në të 53-ën dhe penalltia e Eminit në të 70-ën, sollën trepikëshin dhe qetësinë. Pas ndeshjes , pwr “Panorama Sport u shpreghen tw dy trajnerwt, Arian Bellai i Bylisit dhe Febron Ziu i Tomorit.

Trajneri i Tomorit: I kuqi prishi ekuilibrat

Febron Ziu nuk i humb shpresat për shpëtimin e Tomorit, përtej humbjes së gjashtë radhazi. Pas ndeshjes, trajneri ka diçka për të thënë edhe për gjykimin: “Bylisi e meritoi, por nuk i humbasim shpresat për t’u ringritur. Presim ndryshime në merkaton e dimrit. Mendoj se pavarësisht humbjes që kemi pësuar, skuadra është përpjekur të luajë si e barabartë me kryesuesit. Hymë në fushë për pikë, por rezistuam deri në minutën e 53-të. I kuqi prishi ekuilibrat. Në këtë moment unë nuk dua të paragjykoj gjykimin, por kryesori u nxitua. Ndëshkimin i Hysenit ishte ekstrem. Në rastin më të keq ose duhej të dilnin të dy futbollistët me karton të kuq, ose të merrte vetëm të verdhë”.

Bellai: Nuk ishte fitore e lehtë

Arjan Bellai e pranon që nuk ishte fitore e lehtë dhe se Tomori nuk ka lidhje me renditjen. “Nuk ishte fitore e lehtë. Tomori është një skuadër ndryshe nga sa tregon renditja. Kundërshtari ynë kishte menduar të mbrohej mirë dhe të na godiste me anë të kundërsulmit, kjo bëri që të vuanim disi deri në momentin kur kemi kaluar në avantazh. Na ndihmoi disi superioriteti numerik, pas të kuqit të beratasve. Më pas kemi qenë disi më të qetë dhe kemi arritur të kontrollojmë lojën. Pas kësaj fitoreje tani kryesojmë bindshëm, por kurrsesi nuk do t’ia lejojmë vetes që të biem në eufori”, tha trajneri i Bylisit.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"