Bylisi do edhe një sulmues, Felipe Soza premton gola: Të mposhtim Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 9:33

Bylisi do edhe një sulmues, Felipe Soza premton gola: Të mposhtim Kastriotin

Felipe Soza është një nga lojtarët e huaj të Bylisit që po përpiqet të bëj golashënuesin. Braziliani ka luajtur në krahët e sulmit, edhe pse jo shpesh si zgjedhje e parë. Në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, goli i tij i dha tri pikë Bylisit. Soza shënoi edhe në Tiranë, në atë humbje 4-1 të Bylisit në kryeqytet.

BYLIS

Tre gola deri më tani për brazilianin, që debutoi me Erzenin në fazën e parë në Ballsh, ku gjithashtu vendosi shenjën e tij në triumfin 4-1.

“Jam në një klub dhe në një qytet ku na duan. Personalisht ndihem shumë mirë dhe ndihemi si të jemi në shtëpi. Tashmë ne duhet që t’ua shpërblejmë dhe të japim me të mirën në fushë, për të marrë sa më shumë fitore. Unë kam luajtur edhe në Greqi dhe pas ofertës bindëse që më bëri Bylisi, erdha për të lënë gjurmë këtu. Fitorja me Vllazninë na dha moral për vazhdimësinë dhe tashmë duhet që të përqendrohemi te ndeshja e radhës, ku duhet të mposhtim Kastriotin”, deklaroi fillimisht Soza për “Panorama Sport”. Më tej sulmuesi i krahut foli për golat, teksa thekson se synon që të shënoj më shumë.

“Kam shënuar tre gola, por për këtë kanë meritë edhe shokët e skuadrës, pasi ajo që dua të vë në dukje është se ne jemi si një familje. Shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe duhet që të bëjmë edhe më mirë për klubin. Jemi një ndërthurje e elementëve të rinj dhe disa lojtarëve me eksperiencë. Shpresoj që të shënoj sërish dhe me besimin që do të fitojmë”, përfundoi titullari i ballshiotëve.

NDESHJA DHE MERKATO Ballshiotët janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e radhës, atë me Kastriotin, që do ta luajnë të dielën në orën 13:00 në “Adush Muça”.

Trajneri Naxhi Shensoi, bashkë me stafin e tij janë duke e përgatitur deri në detaje këtë duel të rëndësishëm ndaj një rivali për mbijetesë si Kastrioti.

Mallakastriotët pritet që të kenë në organikë me shumë gjasa edhe mbrojtësin Mevlan Adili. Deri më tani klubi ka bërë një merkato të mirëstudiuar dhe ka afruar kryesisht lojtarë me eksperiencë dhe cilësorë.

Duke nisur nga Zguro, e për të vijuar me Koten e Adilin, por që nuk mbetet me kaq. Në Ballsh po synohet që të afrohen edhe lojtarë cilësorë në vijën e parë të sulmit.

Klubi po studion pistat e huaja dhe me shumë gjasa brenda kësaj jave do të ketë zhvillime në merkato dhe plotësimin e skuadrës. Për efekt negociatash drejtuesit nuk bëjnë të ditur detaje për emrat e lojtarëve që synohen, edhe pse një qendërsulmues mbetet prioritet.

ERJON SALIU – PANOPRAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"