Bylis luan në Lushnjë, Bellai: Ekipi ka “oreks”, fitojmë dhe ecim të qetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2024 | 11:37

Bylis luan në Lushnjë, Bellai: Ekipi ka “oreks”, fitojmë dhe ecim të qetë

Bylisi ka mbyllur përgatitjet për transfertën e Lushnjës, ku synohen 3 pikët për të vijuar rrugën pa kthim drejt elitës dhe për të rikapur vendin e parë. Trajneri Arian Bellai ka folur për “Panorama Sport” në prag të kësaj sfide:

BELLAI

“Është një ndeshje si gjithë të tjerët, interesante, por që duhen pasur në konsideratë. Lushnja ka ekip të mirë, por Bylisi shkon që të tregojë se ka më shumë ‘oreks’ për ta fituar ndeshjen dhe të vijojmë të qetë javë pas jave rrugëtimin tonë. Kemi pasur mungesa në javët e fundit, që kanë ndikuar. Jemi Bylisi dhe në stol kemi elementë që na ndihmojnë. Në Lushnjë jemi me skuadër të plotë dhe për këtë arsye duhet që të kërkojmë tri pikët. Ne duhet të fitojmë ndeshjet e radhës dhe pastaj të mendojmë për vendin e parë. Duhet që sa më parë të sigurojmë ngjitjen në elitë, që ka qenë edhe objektivi kryesor i klubit. Po të shohësh pas është e thjeshtë, pasi kemi lënë prapa ekipe që në fillim të garës u dukën shumë të mirëorganizuara, por sot ja ku jemi.

Ka ende kohë për të menduar për vendin e parë. Kalendari? Bylisi do të ruajë fizionominë, pasi këto ekipe i kemi mundur në dy fazat e para. Nuk ka përse të trembemi, të jemi kryelartë e dinjitozë. I përgëzova djemtë për dëshirën dhe lojën që bën me Kastriotin, por kjo është tjetër ndeshje dhe Lushnja luan ndryshe. Unë e kam ndjekur në vijimësi, por edhe ndaj Elbasanit. Formacioni? E sigurt, do të luajnë lojtarët më të mirë dhe në formë dhe të etur për ta fituar ndeshjen”.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"