Butrinti “faktor” në Kategorinë e Parë, Bano: Kampionat i çuditshëm, koha të fitojmë edhe… jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2021 | 16:15

Butrinti “faktor” në Kategorinë e Parë, Bano: Kampionat i çuditshëm, koha të fitojmë edhe… jashtë

Butrinti po bëhet “faktor” në këtë kampionat. Pas 8 javësh kanë mbledhur 11 pikë dhe kjo u ka mundësuar vendin e 7-të, falë golavarazhit më të mirë se Tërbuni e Shkumbini. Artan Bano mendon se po bëjnë një punë të mirë, megjithatë kërkon kujdes. Ai e cilëson këtë garë sa të vështirë aq edhe të çuditshme, ndaj pret vigjilencë maksimale.

Bano Artan ne ndeshjen ndaj Lacit

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon me detaje ecurinë e sarandjotëve.

Më në fund erdhi edhe pika e parë në transfertë, e prisnit?
E kemi kërkuar rezultatin pozitiv në të gjitha transfertat. Edhe pse kemi pësuar gol, jemi munduar deri në minutën e fundit. Kemi qenë me një gol diferencë dhe jemi munduar të marrim minimumin, ndoshta një barazim. Por në futboll ndodh sikurse me Lushnjën, Apoloninë dhe me Korabin… Që kanë qenë transferta të forta dhe shumë të vështira.

Erdhi në ndeshjen e katërt…
Erdhi natyrshëm. Edhe pasi Maliqi është një ekip i mrekullueshëm që luan shumë mirë futboll dhe edhe pse na shënoi i pari, ne reaguam shumë shpejt dhe barazuam pas 12 minutave. Kishim mundësi dhe ta dyfishonim dhe ta trefishonim. Por në futboll ndodh që ndonjëherë luan shumë më mirë se kundërshtari dhe nuk merr atë që meriton. Gjithsesi, unë jam i kënaqur nga ekipi. Të mësohet që të mos luajë vetëm brenda. Të marrë rezultatin pozitiv edhe jashtë.

Ku po insiston më shumë Bano?
Po punojmë shumë nga ana psikologjike me ekipin, që t’i trajtojmë ndeshjet jashtë njësoj si ndeshjet brenda. Të ketë seriozitet maksimal duke pasur parasysh që ekipi po vjen në rritje, në kualitetin që ka. Mendoj që në të ardhmen do të jemi shumë herë më mirë sesa këto 7 apo 8 ndeshjet e para.

A keni mundësi për të rritur lojën e Butrintit?
Ekipi është rritur, duke pasur parasysh këtu edhe ndeshjen me Shkumbinin. Sigurisht që të vjen keq kur pëson gol dhe ekipi nuk është i karikuar 100%, ndërkohë që të vjen mirë kur fillon e reagon. Në fund të lojës sidomos ka një reagim shumë të mirë. Reagon me goditjet që i bëjmë ne nga stoli.

Çfarë vini re në lojën e ekipit?
Duket përmirësimi i lojës dhe i rezultatit. Po sinkronizohemi si ekip, si në fazën mbrojtëse edhe në fazën sulmuese. Kemi futbollistë cilësorë, por çdo gjë kërkon kohën e vet. Mendoj që do të rritemi çdo javë nga 2%, nga 5%, derisa të mbarojë kampionati.

Kemi sërish një ndërprerje, si do të punoni?
Javën që nuk ka kampionat, do të jetë me dy seanca në ditë. Futbollistët po më përgjigjen në stërvitje dhe në lojë. Pauza bën edhe mirë. Ka shumë dëmtime dhe kjo na ndihmon për rikuperimin, por edhe për anën fizike.

Çfarë e ka dalluar deri tani këtë kampionat?
Unë e kam thënë gjithmonë, që kampionati me 16 ekipe është shumë i vështirë, shumë i çuditshëm. Atëherë kur ti mendon se do t’i marrësh tri pikë kundërshtarit, po e nënvlerësove, s’ia del. Nëse ekipi karikohet, fiton dyluftimet dhe jep 100% në lojë, i ke të garantuara tri pikët. Kështu që, duhet kujdes hap pas hapi.

Edhe pse ka kaluar diçka më shumë se ¼ e kampionatit, Butrinti duket faktor në kampionat. Besoj se keni një bilanc?
Ne nuk duhet të themi që kemi barazuar me Maliqin dhe kemi mbaruar punë. Deri tani kemi marrë 30% të pikëve që na duhen për objektivin. Na del për detyrë të marrim edhe pjesën tjetër të tyre. Duhet të punojmë fort, duhet të jemi seriozë dhe korrektë. Ky qytet meriton ta ketë Butrintin shumë më lart se renditja e sotme.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"