“Busketsin e kam idhull”, Herri Kejn: Jam si Benzema, Siti nuk na tremb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2023 | 23:42

“Busketsin e kam idhull”, Herri Kejn: Jam si Benzema, Siti nuk na tremb

Herri Kejn e demonstroi edhe njëherë prezencën në kuadratin mik, aty ku “viktima” e radhës ishte Mançester Junajtidi. Kampionët e Bajernit shpenzuan 100 milionë euro në tregun e transferimeve verën që lamë pas, që shënoi edhe rekord në financat e gjigantëve nga Mynihu.

Kejn

Së fundmi futbollisti me numër “9” në “Allianz Arena” ka zbuluar disa sekrete, të cilat kanë lidhje edhe me rritjen profesionale të anglezit. Kejn është prononcuar për prestigjiozen “Marca”, duke prekur një sërë çështjesh të ndryshme.

A besoni se Mançester Siti është një hap mbi të tjerët për triumfin e Champions-it?

Nuk e mendoj kështu. Ne e dimë që Siti ka lojtarë të mrekullueshëm dhe niveli i tyre ka qenë shumë i lartë vitet e fundit, me një trajner të jashtëzakonshëm në pankin si Guardiola. E them pa asnjë dyshim se jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me këdo në Ligën e Kampioneve. Grupi i ka të gjitha cilësitë për t’i rezistuar kujtdo.

Kemi bërë mirë në këto javë të para, ama nevoja e përmirësimit është prezente. Aspirata jonë dihet, fitimi i Champions-it. Të shpresojë se grupi do të jetë i plotë edhe në vazhdimësi, e ku do ta kemi më të lehtë për të dhënë më të mirën. Lufta sapo ka filluar, tashëm është koha të mprehim shpatat.

Më e vështirë është të jesh numri “9” në Bundesligë apo Premier Ligë?

E vërtetë se kam shënuar shumë gola në ligën angleze dhe nuk është momenti i përshtatshëm për të bërë diferencat. Më duhet ende kohë në krijimin e një ideje më të qartë. Tepër krenar rreth numrit të lartë mbi golat në Premier Ligë. Kampionat jashtëzakonisht i fortë, ndonëse testi i duhur për të kuptuar se çfarë potenciali gëzon. Besoj se ia kam dalë me suksese në këtë spektër. Më pëlqen të jem lojtari më i mirë i ndeshjes dhe përpiqem të jem kudo në fushë, jo vetëm në konkretizimin e rasteve.

E ndieni veten më tepër numër “9” apo “10”?

Pyetja e vështirë. Në harkun e 4-5 viteve të fundit kam evoluar së tepërmi në lojë. Kërkoj ta kem topin në kontroll dhe nuk e kam problem të kthehem edhe mbrapa nëse është nevoja. Ndihem mirë në mesfushë apo zonën e shënimit. Të jesh përcaktues do sakrificë të madhe, megjithatë e ndiej si përgjegjësi dhe e bëjnë me dëshirë.

Me cilin futbollist ngjasojnë karakteristikat tuaja si “pykë”?

Padyshim me Karim Benzemanë. Ka qenë dhe mbetet një nga sulmuesit më të mirë jo vetëm në Europë. Aftësia e francezit për të shënuar apo asistuar i jep të tjera ngjyra repertorit të Benzemasë. Kam mësuar shumë prej lëvizjeve të tij, ndonëse e kam parë nga ekrani.

Mendoni se do të riktheheni në Angli për të thyer rekordin e Alan Shirerit?

Nuk bëhem pishman që kam zgjedhur Bajernin si klubin e ri. Në Mynih kam ardhur me një ide të qatë, fitimin e sa më shumë trofeve dhe ngritjen si individualë. Te Totenhemi kam përjetuar momente vërtet speciale, të cilat do të mbesin gjatë në kujtesë, por Bajerni është tjetër nivel. Këtu ke mundësi të konkurrosh me më të mirën e Europës.

Në futboll ekziston një shprehje që thotë “kurrë mos thuaj kurrë”, prandaj nuk i dihet. Mbase mund të rikthehem në Premier Ligë. Aktualisht jam i fokusuar te klubi im dhe objektivat sezonalë. Vlen të theksohet se legjenda e Njukasëllit Aln Shirer mban rekordin e shënuesit më të mirë në ligën angleze me 260, kundrejt 213 në palmaresin e Herrit.

Jeni i befasuar nga rritja e Bellingamit te Reali?

Nuk është surprizë. E njoh dhe punoj me të te përfaqësuesja. Xhud e ka dëshmuar edhe te Dortmundi që nuk i kishte lojtarët në nivel kaq të lartë që të mund të bëjë diferencën kundër çdo rivali. Mjafton t’i referohemi paraqitjes mbresëlënëse të Xhudit në Botërorin e Katarit. Personaliteti i atij djaloshi më mahnit. E përgëzoj për pjekurinë në fushë, ndonëse mbart vetëm 22 vite mbi shpinë.

Ekziston një mit në Spanjë se lojtarët anglezë e kanë të vështirë të kenë sukses në La Liga?

S’jam i sigurt. Varet nga personaliteti i lojtarit. Mentaliteti është tejet thelbësor, plus objektivat që i vendosim vetes. Nuk e besoj këtë teori, gjithmonë nëse ekziston si e tillë. Bellingami po e vërteton se ka sukses edhe në La Liga pas Bundesligës.

Mund të aspirojë Anglia të kurorëzohet në “Euro 2024”?

Fillimisht të kualifikohemi. Pritshmëritë e tifozëve tanë janë rritur në vite e fundit. Përfunduam në vendin e 3-të në Botërorin e Rusisë, më pas në kampionatit europianë nënkampionë, teksa e ulëm kurbën në Kupën e Botës, vitin e shkuar. Tregues se jemi në rrugën e duhur, megjithatë kemi punë për të dalë mbi kombëtaret e tjera. Përfaqësuesen e Spanjës e shikoj si më të vështirën, kualifikuesit kanë dëshmuar se ata kanë gërshetim mes talenteve dhe futbollistëve ekspertë.

Kur ishit në hapat e parë si futbollist, cilin lojtar spanjoll e adhuronit?

Jo vetëm më parë, por edhe tani e dua lojën e Serxho Busketsit. Lojtar i papërsëritshëm mbi mënyrën se si e luante lojën në kohën e artë te Barcelona. Kur gjendem në mesfushë, përpiqem të imitoj lëvizjet e Buskec. E di që aktualisht inkudrohet në SHBA te Majami, por veprat e tij në fushën e blertë mbeten. Është fakt se ndikimi i Mesit, Nejmarit, Ksavit apo Iniestës e ka lënë disi në hije te Barça, ama puna fondamentale e mesfushorit spanjoll nuk ka fjalë për t’u përshkruar”, përfundoi Herri Kejn.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"