Burreli në presion pikësh, si finale me krutanët. Klubi matjan vendos heshtje për shtyp, synohet shpëtimi i sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 17:40

Burreli në presion pikësh, si finale me krutanët. Klubi matjan vendos heshtje për shtyp, synohet shpëtimi i sezonit

Heshtje shtypi në kampin matjan në prag të ndeshjes me Kastriotin, që do të zhvillohet të shtunën, në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës. “Morëm këtë vendim pasi përpara kemi një ndeshje të rëndësishme si kjo me Kastriotin, që do ta zhvillojmë pasnesër.

tomori burreli

Futbollistët duhet të kenë përqendrim maksimal në ndeshjen e radhës, që është e rëndësishme për ecurinë e skuadrës tonë”, tha për gazetën “Panorama Sport”, sekretari i klubit matjan, Marjan Lleshaj. Skuadra prej ditës së hënë ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Kastriotit. Për vetë pozitat që ka Burreli në renditje, katër ndeshjet e mbetura konsiderohen finale. Fitorja e fundit është ajo e arritur kundër Bylisit në “Liri Ballabani”, në fund të muajit mars, që përfundoi 1-0 me gol të shënuar nga Farruku në të 43′.

Më pas, erdhën tri humbje radhazi, një nga të cilët me Besën në shtëpi 1-0 dhe ajo e fundit në transfertë me Tomorin, tashmë të zbritur në Kategorinë e Dytë. Të dy ballafaqimet e këtij edicioni me Kastriotin kanë përfunduar me të njëjtin rezultat, 0-0. Përballja mes këtyre dy skuadrave shumë vite më parë është përcjellë me goxha rivalitet, por aktualisht ato kanë të njëjtin objektiv, i cili është largimi nga zona e ftohtë e renditjes.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"