Burreli irriton tifozët në shtëpi, fiton Besa. Hima: E pabesueshme! Bubeqi: Kështu e ka futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 19:13

Burreli irriton tifozët në shtëpi, fiton Besa. Hima: E pabesueshme! Bubeqi: Kështu e ka futbolli

Burreli u mund minimalisht 1-0 nga Besa në “Liri Ballabani”. Humbja nuk është pritur aq mirë nga tifozëria e shumtë matjane, që kanë mbetur të pakënaqur nga loja e skuadrës së tyre, si dhe kanë reaguar në kor.

burreli besa

Skuadra mike i është gëzuar këtyre tri pikëve “të arta” të marra në një përballje të vështirë, për më tepër brenda në fushën e Burrelit. Me sa duket ka qenë strategjia e teknikut kavajas, Dorjan Bubeqi, që duke ditur në detaje lojën e matjanëve, si ish-trajner, ka përgatitur si të thuash “grackën” ndaj tyre. Në këtë takim u akorduan edhe dy kartonë të kuq, nga një për ekip. Në minutën e 19-të Perja i Besës ndëshkohet me të kuq për ndërhyrje të rendë ndaj Kastratit, i cili si për ironi të fatit në fund të pjesës së parë del edhe vetë nga fusha me të njëjtën masë disiplinore.

Në përgjithësi kanë qenë vendasit ata që kanë pasur komandën e lojës, ndërsa kavajasit janë treguar të kujdesshëm në prapavijë duke mos u mërzitur dhe kanë pritur deri në fund për të ndëshkuar matjanët. Në minutën e 88-të Mustafa Ba finalizon kundërzbritjen e Besës dhe shënon golin e fitores. Me këtë fitore ndizen më shumë shpresat e mbijetesës për Besën, ndërsa Burreli ia bënë vetes më të vështirë duke u afruar më shumë me zonën e rrezikut.

Hima: E pabesueshme, s’kam çfarë të them

Trajneri i skuadrës së Burrelit, Klevis Hima, pas ndeshjes ishte tejet i mërzitur dhe për “Panorama Sport” shkurtimisht u shpreh: “E pabesueshme, s’kam fjalë për të thënë”. Ndërsa drejtori teknik i Burrelit, Klevis Gjoka, pranoi që tifozëria matjane ka të drejtë që të protestojë. “Na ka mërzitur pa masë kjo humbje, që irritoj me të drejtë tifozerinë e zjarrtë dhe u japim të drejtë në protestën e tyre. Në emër të stafit dhe lojtarëve u kërkojmë falje dhe i sigurojmë se do të ketë një reflektim të menjëhershëm. Do ua kthejmë menjëherë buzëqeshjen me rezultate pozitive, duke filluar nga ndeshja e radhës kundër Tomorit, për të vijuar me sfidat e tjera”, u shpreh Gjoka.

Bubeqi: Kështu e ka futbolli

Trajneri kavajas, Dorjan Bubeqi, pas fitores me peshë në Burrel u shpreh: “Futbolli kështu e ka. Kur drejtoja Burrelin, munda skuadrën time Besën. Tani që drejtoj Besën, munda ish-skuadrën time Burrelin. Erdhëm për të marrë një rezultat pozitiv dhe falë Zotit arritëm të merrnin tri pikë “të arta”. Kjo fitore na vlen shumë për të ardhmen, në betejën tonë për mbijetesë në Kategorinë e Parë”.

Martin DEDAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"