Burreli fiton derbin ndaj Korabit, Hima: Ia dolëm, gjykimi “OK”. Kumbarçe: Na ndëshkuan me një aksionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 23:40

Burreli fiton derbin ndaj Korabit, Hima: Ia dolëm, gjykimi “OK”. Kumbarçe: Na ndëshkuan me një aksionë

Takimi mes Burrelit dhe Korabit u prit me interes nga dy tifozëritë. Ky konsiderohej si një derbi, që gjithmonë ka pasur rivalitet si në fushë edhe në shkallët e stadiumit. Këtë herë fitorja u buzëqeshi vendasve, që fituan minimalisht me një gol të Kastratit në minutën e 45-të, pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Hoti.

korabi

Aty Kastrati i pambuluar arriti të shënonte me kokë, ndonëse dibranët u munduan ta dominuan takimin duke luajtur më mirë se vendësit. Korabi nuk arriti ta gjejë golin edhe pse Çema dhe T. Marku patën mundësi. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat. Në të dytën dibranët ishin fare pranë barazimit, por nuk ia dolën edhe me ndërrimet e bëra nga trajneri Kumbarçe. Ato nuk sollën rezultat dhe fitorja u buzëqeshi vendësve.

Klevis Hima- Trajneri i Burrelit pas ndeshjes u shpreh: “E dinim që përballë kishim një ekip të fortë. Ishte një takim derbi dhe ne e kishim vlerësuar. Ia dolëm të merrnim tri pikë dhe për këtë jam i kënaqur. Gjykimin ishte ndryshe nga java e kaluar dhe i drejtë për të dy ekipet. Tani na duhet të mendojmë për takimin e radhës”.

Shpend Kumbarçe- Trajneri i Korabit pas humbjes tha: “Derbi gjithmonë sjellë emocione dhe këtë radhë fitorja u buzëqeshi matjanëve. Jam i kënaqur me lojën që bënë lojtarët, pasi e qarkulluan mirë topin dhe krijuan raste, por nuk arritëm të zhbllokonim rezultatin. Vendësit na ndëshkuan me të vetmin aksion”.

FATMIR ZHUZHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"