Ervin Bulku: Tirana mbetet zgjedhja ime e parë në Shqipëri. Do të vendos më 1 korrik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2014 | 9:06

Ervin Bulku: Tirana mbetet zgjedhja ime e parë në Shqipëri. Do të vendos më 1 korrik

Ervin Bulku i Eduard Abazi 200810Ervin Bulku është shumë pranë Tiranës. Në klub e bëjnë fakt të kryer akordin me mesfushorin, por ai vetë deklaron se vetëm në fillim të muajit do zgjedhë skuadrën e tij të re. Lojtari i Kombëtares shqiptare nuk e mohon faktin se bardheblutë mund të jenë destinacioni i tij për sezonin e ri, megjithatë zbulon se vendimin final do e marrë më 1 korrik. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, lojtari rrëfen merkaton e tij. Ai flet me shumë dashuri për ish-ekipin, të cilin e konsideron si familjen e tij. Shfaq mirënjohje për çdo ofertë që i ka ardhur, duke iu referuar këtu Flamurtarit, e megjithatë saktëson se në Shqipëri Tirana do të jetë kurdoherë zgjedhja e tij e parë. Por, në fund lë një “dritare” hapur për të luajtur jashtë vendit, teksa tregon se ofertat nuk i kanë munguar.
Ervin, prej ditësh emri yt qarkullon në merkato, keni vendosur se çfarë do të bëni në të ardhmen?
Jemi në periudhë merkatoje, është normale që emri të lakohet. Megjithatë, ende nuk kam vendosur.
OK, por te Tirana deklarojnë se ka një akord parimor me ju…
Nuk kam vendosur ende asgjë zyrtarisht. Por kaq mund ta them, që unë jam pjesë e familjes bardheblu dhe Tirana mbetet kurdoherë zgjedhja ime e parë.
Që do të thotë…
Nëse bëhet fjalë për të qëndruar në Shqipëri, unë do të rikthehem në shtëpi, pra do të vishem sërish bardheblu.
Ke folur me drejtuesit bardheblu?
Unë flas gjithnjë me ta, në çdo moment. Me çdo donator që ka qenë dhe është pjesë e kësaj skuadre, unë komunikoj.
U referohemi aktualëve, Halilit e Morinës…
Po kam folur. Më kanë në plane, dhe unë Tiranën e kam në planet e mia.
Edhe në Vlorë janë të interesuar për ju?
I falënderoj, çdo interesim të bën që të ndihesh mirë.
Kur do e vendosë të ardhmen Bulku?
Më 1 korrik besoj se do të zyrtarizoj ekipin tim të ri. Aktualisht dua që të shijoj pushimet me familjen time, meqenëse i kam rezervuar.
A i ke të qarta idetë?
Në mendje po, e di se ku do të shkoj.
Në mendje keni Tiranën?
(Qesh) E thashë edhe më lart, Tirana është gjithnjë në mendjen dhe në zemrën time. Unë kam gjak bardheblu.
Me Sepahanin çfarë ka ndodhur?
Kisha një kontratë 2- vjeçare, por vendosëm me marrëveshje që ta ndërprisnim këtu. Megjithatë, ata më kanë telefonuar sërish, por për momentin dua t’i jap disa ditë kohë vetes.
Prioriteti i Bulkut cili është në këto çaste, të luajë jashtë apo të rikthehet në Shqipëri?
Nuk më kanë munguar ofertat nga jashtë vendit, pasi pak kohë më parë një ekip nga Kuvajti kishte shfaqur interes për mua. Por jam në një moshë që vetëm një ofertë tunduese do të më bindte. Nuk shkoj pas parave dhe financave, kërkoj tjetër gjë.
Kalojmë pak te Kombëtarja, si e gjykoni humbjen me Hungarinë?
Në këtë periudhë miqësoret janë shumë të vlefshme, jo nga rezultati, por loja. Në fakt, nuk mendoj se Hungaria bëri diçka më tepër se ne, thjesht i erdhi rasti i penalltisë dhe kaq. Gjithsesi, miqësorja e gushtit do të jetë vendimtare, është ajo që do të qartësojë shumë nga e ardhmja e përfaqësues sonë.
Paraqitja e të rinjve kuqezi si ju duk?
Në kompleks, pozitive. Për Cikalleshin, për shembull, më bëhet qejfi që iu dha ky shans. Të rinjtë meritojnë më shumë minuta, dhe trajneri bëri mirë në këtë drejtim. Fakti që ai vjen nga Superiorja është e rëndësishme, mendoj se është një prurje me vlera.

Nga Muzaka te Lilaj, ja kush synohet në merkato
Tirana prej kohësh ka nisur bisedimet në merkato. Emrat janë zbuluar, madje donatorët kanë zhvilluar edhe disa takime me futbollistët që pëlqehen prej trajnerit Gugash Magani. Muzaka, Lilaj, Frashëri, Bushiç, Malaj, Fejzullahu, Kuka, Bakaj dhe Mazrekaj preferohen nga bardheblutë. Drejtuesit janë duke bërë të pamundurën që të mbyllin ndonjë marrëveshje me emrat e sipërpërmendur, megjithatë momentalisht gjithçka ka mbetur peng. Firmat po mungojnë për një arsye të thjeshtë. Fillimisht pritet që të privatizohet klubi. Është premtuar që në mbledhjen e radhës së këshillit, e cila mendohet se do zhvillohet të martën, do t’i jepet njëherë e mirë zgjidhje çështjes “Tirana”. Fill pas kësaj, mendohet se do të vijnë edhe nënshkrimet e para.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"