Bubeqi: Duke luajtur me qetësi sot Besa merr trepikëshin ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2024 | 9:15

Bubeqi: Duke luajtur me qetësi sot Besa merr trepikëshin ndaj Kastriotit

Prej ditës kur mori drejtimin e Besës, trajneri Dorjan Bubeqi ka qëndruar “me këmbë në tokë” me deklaratat e tij. Pavarësisht fitoreve të thella kundër Luzit dhe Tomorit, ai nuk nxiti eufori tek ekipi. Sot, në orën 15:00, Besa pret Kastriotin dhe mbrojtësit Skerdjan Perja është i pezulluar nga kartoni i kuq në Burrel.

TRAJNERI I BESES, DORJAN BUBEQI

Në prag të kësaj sfide mbijetese trajneri Bubeqi për “Panorama Sport” u shpreh: “Kam një përvojë mbi dy dekada si futbollist dhe tashmë thuajse një dekadë si trajner. Përvoja më ka mësuar se mjafton një moment dhe ekipi pëson, hyn në panik dhe reagon atëherë kur humbja është siguruar. Për këtë arsye, kam punuar fort sa i takon anës psikologjike me lojtarët, që përtej çdo gabimi apo ndëshkimi, ata të rifuten në lojë sikur të jetë ndeshja 0-0. Vetëm nëse grupi ka siguri në lojën e tij dhe beson fort se mund të përmbysë çdo rezultat, apo të mbrojë çdo fitore, gjërat bëhen më të thjeshta.

Përtej renditjes, e njoh mirë Kastriotin dhe e di se ka në përbërje lojtarë me përvojë. Nganjëherë nuk merr atë që jep dhe meriton, ky rast i përshtatet edhe Kastriotit. Prandaj, gjatë javës kam kërkuar nga lojtarët të jenë të qetë, të bëjnë lojën që dinë dhe të zbatojnë me fanatizëm detyrat dhe skemat taktike të punuara në stërvitje. Gjendja psikologjike është e lartë dhe kjo ndikon fort në lojën e ekipit. Nëse kanë besim te fitorja, unë kam dyfish besim më shumë. E rëndësishme është të shënojmë shpejt, por nëse nuk ndodh, të besojmë e kërkojmë golin deri në fund. Pres vetëm fitore nga ekipi për të konfirmuar momentin e mirë që po kalojmë, por mbi të gjitha nevojën që kemi për pikë në këtë moment”.

besa kruja

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"