Bubeqi: Besa ka vetëm finale, ja çfarë na duhet në Berat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2024 | 12:24

Bubeqi: Besa ka vetëm finale, ja çfarë na duhet në Berat

Fitorja me Luzin jo vetëm ishte mjaft me vlerë për Besën, por shënoi edhe kthesën e shumëpritur. Për momentin, Besa do të “luftojë” me Luzin për t’i ikur dy vendeve të fundit. Ndërsa luznjakët do presin Burrelin në shtëpi, verdhezinjtë do të kenë një transfertë të vështirë në Berat.

TRAJNERI I BESES, DORJAN BUBEQI

Për trajnerin Dorjan Bubeqi, i cili e njeh me “themel” Kategorinë e Parë, Tomori përtej pozitave, nga përbërja që ka nuk e meriton fundin. “Futbolli është i çuditshëm, pasi jo për diplomaci po nga që e njoh Tomorin, gjykoj se me përbërjen që ka nuk e meriton të jetë i fundit. Kam parasysh vështirësinë e madhe që ky takim do të ketë për ne. Do të kemi një Tomor me trajner të ri, që në këto raste motivon më shumë për të mbajtur gjallë shpresën e mbijetesës. Për vetë pozitat në të cilët ndodhemi, çdo përballje është një finale.

E kemi vlerësuar maksimalisht Tomorin si ekip, që përtej renditjes, mbetet i fortë. Siç e thashë edhe pas ndeshjes me Luzin, mua më ngjalli besim loja që ekipi zhvilloi përtej fitores apo golave. Pra, më bën të besoj se Besa i ka të gjitha mundësitë që në Berat të udhëtojë për fitore. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi për mua çdo gjë do të varet nga gabimet tona. Nëse tregohemi të saktë, cinikë para portës beratase në rastet që do na krijohen, atëherë shanset tona do të rriten. Meqenëse është si finale për të dy ekipet, do t’u kërkoj futbollistëve të luajnë të qetë, pa presion e të besojnë deri në fund te fitorja”, u shpreh trajneri Dorjan Bubeqi për “Panorama Sport”.

besa

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"