“Bruka iku vetë, treguam kush është Besëlidhja e vërtetë”, presidenti Noka vendos për trajnerin e ri: I besoj…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2022 | 14:37

“Bruka iku vetë, treguam kush është Besëlidhja e vërtetë”, presidenti Noka vendos për trajnerin e ri: I besoj…

Besëlidhja udhëtoi pa trajner në Korçë, por në fund bëri surprizën. Barazoi Skënderbeun dhe mori një pikë të çmuar. Pati shumë mister për mungesën e Alban Brukës, por ishte ky i fundit që shoi dilemat. Enkas për gazetën konfirmoi dorëheqjen, dhe për këtë motiv, ekipi u drejtua në këtë transfertë nga zëvendësi i tij.

Noka

PANKINA – Një “fije” dyshim mbeti edhe për motivet e largimit të beftë të teknikut, e megjithatë mendon Gjok Noka që të sqarojë gjithçka. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti rrëfen se përse u iku “timonieri” dhe zbulon kush do të jetë pasardhësi. Numri një i klubit e ka gjetur zgjidhjen brenda familjes dhe të paktën deri në mbyllje të fazës së parë në drejtim do të jetë ndihmëstrajenri Hasan Hoxha, që udhëhoqi ekipin në javën e 7-të.

“Alban Bruka më kërkoi largimin me dëshirën e tij të plotë dhe unë e pranova dorëheqjen, ndonëse ishim në prag të një ndeshjeje transferte shumë të vështirë. Të paktën deri në fund të fazës parë, ekipin do t’ia besoj Hasan Hoxhës. Më pas do të shohim.

Kjo do të vendoset në bazë të rezultateve që do të marrim. Kemi objektiva të rëndësishëm. Këtë e ka të qartë edhe vetë Hasani. Unë nuk mund të toleroj rezultate negative, pasi sa vijnë e shtrëngohen situatat.

Të gjitha ekipet luftojnë për objektivat e tyre”, tha fillimisht Noka.

BARAZIMI – Nuk kishte si të mos fliste edhe për ndeshjen, që sipas tij erdhi si rezultat i kthimit të mungesave. Ai thekson se ajo që u shfaq në stadiumin “Skënderbeu”, është Besëlidhja e vërtetë.

“Falë rehabilitimit të futbollistëve të dëmtuar, shkuam në Korçë të kompletuar. Kjo na ngjalli shpresat për të marrë një barazim, por pse jo edhe për të fituar. Falë shpirtit të garës dhe grintës së futbollistëve në stadiumin ‘Skënderbeu’ treguam se kush është Besëlidhja e vërtetë.

Të paktën në tri ndeshjet e fundit të kampionatit, para kësaj ndaj Skënderbeut, ekipin e kemi pasur të përgjysmuar për shkak dëmtimesh.

Na kanë munguar titullarët kryesorë te të cilët i kemi të varura shpresat.

Kjo na dëmtoi shumë pasi lamë shumë pikë gjatë kësaj periudhe. Shpresoj se makthin e dëmtimeve masive tashmë e kemi kaluar, ndaj jam optimist për të ardhmen. Pa dashur që të paragjykoj gjykimin, mungon të paktën një karton i kuq, kur na u dëmtua me takë në kokë futbollisti ynë Bruka. Në fakt ishin dy për karton të kuq, pasi edhe ndërhyrja ndaj mbrojtësit Metaliaj ishte e rëndë, aq sa u gjakos.

Mirë që karton dhe as goditje dënimi, por akordoi korne për Skënderbeun. Këto fenomene duhet që t’i shikojë FSHF-ja me vëmendje. Përveç kësaj na mbushi edhe me kartonë të verdhë, çka ndikoi në intensitetin e aksioneve tona. Ndeshja është e filmuar dhe nëse nuk është kështu, unë do të kërkoj falje publike.

Jam i kënaqur edhe me pikën, ndonëse me pak kujdes do ta kishim fituar atë ndeshje. Gjithsesi, edhe një barazim me përmbysje tregon se Besëlidhja shumë shpejt do të kthehet në kërcënim për kreun. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me mikpritjen korçare, me presidentin Takaj, me tifozërinë, e cila duhet marrë shembull.

Edhe pse i barazuam në fushën e tyre, na dhanë dorën e na përqafuan miqësisht kur u mbyll takimi”, përfundoi Noka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"